Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoy, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha me interes të përbashkët.
Gjatë takimit, Sali theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimeve, si dhe kontributin e Turqisë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Ai vuri në dukje rolin e Turqisë si anëtare e NATO-s dhe kontributin e saj në sigurinë dhe stabilitetin global.
Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe për marrëdhëniet e forta vëllazërore ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar partneritetin strategjik si të qëndrueshëm dhe me perspektivë të mëtejshme zhvillimi.

