Në një intervistë për Telegrafin, në podkastin PodGo, zv/kryetari i Tetovës Albi Qamili ka folur për herë të parë për presionin e vazhdueshëm policor dhe politik ndaj rinisë që kritikonte politikat e BDI-së.
Ai foli për fillet e tij në politikë dhe aksionet guerile si opozitë, të cilat shpesh kanë rezultuar me ndalesa në stacione policore.
“Vitet më të mira që i kujtoj dhe që më kanë formësuar më shumë si njeri janë ato vitet e opozitarizmit. Ju e dini se gjithë atë aktivitet që e kemi bërë, gjithë ato aksione guerile, bashkë me shokë shpesh kemi përfunduar në stacione policore”, tha Qamili.
Ai shpjegoi se si funksiononte struktura e atëhershme politike, duke ushtruar presion të vazhdueshëm edhe ndaj inspektorëve dhe policëve që të dëmtojnë aktivistët e Lëvizjes Besa.
“Ajo që më ka lënë përshtypje të keqe aty është kur e shihja me sytë e mi presionin iu bëhej inspektorëve, policëve, nga strukturat e atëhershme politike, strukturave paralele të atëhershme, për të na bërë dëm neve, për të na ndaluar aksionet guerile”, sqaroi Qamili.
Por, sipas tij, presionet e tilla kanë pasur vetëm efekt të kundërt, pasi sa herë që pushteti është shërbyer me metoda të tilla, vetëm e ka shtuar motivin për angazhimin politik te rinia.

