Ministri i Ekonomisë dhe njëri nga eksponentët e lartë të VLEN-it, Besar Durmishi në intervistën në “Dialog te Lajmi” ka thënë se me shkarkimin e Kryesisë qendrore të Lëvizjes BESA, bëhet një hap para drejt bashkimit të VLEN-it si një subjekt i vetëm.
“Kuvendi qendror i Lëvizjes Besa si organi më i lartë partiak mes dy Kongreseve vlerësoi se duhet të shkarkohet kryesia qendrore në frymën dhe energjinë e asaj që forcat tona politike të fokusohen në bashkimin e VLEN-it, e pastaj edhe të shkohet në strukturimin e VLEN si një parti e përbashkët nën ombrellën e VLEN”, tha Durmishi.
Sipas tij, me këtë veprim, si Lëvizje Besa, si parti më e vjetër në përbërjen e VLEN-it, bëhet një hap konkret drejt unifikimit të VLEN si një subjekt i vetëm.
“Besojmë se ky është vullnet i votuesve të VLEN dhe i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, gjë që u konfirmua në zgjedhjet e fundit lokale”, ka thënë Durmishi.

