8 C
Tetovo
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026
BallinaLajmeMaqedoniPse Ramazani është muaji më i shenjtë në kulturën islame

Pse Ramazani është muaji më i shenjtë në kulturën islame

Çdo vit, myslimanët në mbarë botën presin me padurim shfaqjen e hënës së re në formë drapri, e cila shënon zyrtarisht ditën e parë të Ramazanit, muaji i nëntë i kalendarit islam dhe muaji më i shenjtë në kulturën islame.

Fillimi i Ramazanit ndryshon çdo vit sepse kalendari islam hënor ndjek fazat e hënës. Ai nis një ditë pas shfaqjes së hënës së re në formë drapri, e cila mund të jetë e vështirë për t’u parë, pasi është shumë e zbehtë dhe duket vetëm rreth 20 minuta. Nëse hëna nuk shihet me sy të lirë për shkak të mjegullës ose reve, përdoren llogaritje astronomike për të parashikuar nëse ajo ndodhet në qiell.

Këtë vit, Ramazani do të fillojë në perëndim të diellit me 17 shkurt dhe do të përfundojë pas perëndimit të diellit me 19 mars, me festimet e Fitër Bajramit.

Origjina e Ramazanit

Ramazani, një nga muajt e kalendarit islam, ishte gjithashtu pjesë e kalendarëve të arabëve të lashtë. Emri Ramazan rrjedh nga rrënja arabe “ar-ramad”, që do të thotë nxehtësi përvëluese. Myslimanët besojnë se në vitin 610 pas Krishtit, engjëlli Xhebrail iu shfaq Profetit Muhamed dhe i shpalli Kuranin, librin e shenjtë të Islamit. Kjo shpallje, e njohur si Lejletul Kadr, ose “Nata e fuqisë”, besohet se ka ndodhur gjatë Ramazanit. Myslimanët agjërojnë gjatë këtij muaji për të përkujtuar shpalljen e Kuranit.

Kurani përbëhet nga 114 sure dhe konsiderohet si fjala e drejtpërdrejtë e Zotit, Allahut. Hadithet, ose rrëfimet e shokëve të Profetit Muhamed mbi fjalët dhe veprat e tij, e plotësojnë Kuranin. Së bashku, ato përbëjnë tekstet fetare të Islamit.

Si praktikohet Ramazani

Gjatë Ramazanit, myslimanët synojnë të rriten shpirtërisht dhe të ndërtojnë një lidhje më të fortë me Allahun. Këtë e bëjnë duke u falur dhe duke lexuar Kuranin, duke i bërë veprimet e tyre të qëllimshme dhe të paanshme, si dhe duke u përmbajtur nga thashethemet, gënjeshtrat dhe grindjet.

Gjatë gjithë muajit, agjërimi nga lindja deri në perëndim të diellit është i detyrueshëm për të gjithë myslimanët, përveç të sëmurëve, grave shtatzëna, udhëtarëve, të moshuarve ose grave me menstruacione. Ditët e humbura të agjërimit mund të kompensohen gjatë pjesës tjetër të vitit, ose të gjitha njëherësh, ose ditë pas dite.

Xhamitë më të bukura në botë

Vaktet janë momente ku myslimanët mblidhen me të tjerët në komunitet për ta prishur agjërimin së bashku. Vakiti i mëngjesit para agimit, ose syfyri, zakonisht zhvillohet rreth orës 4:00 të mëngjesit, para faljes së parë të ditës, sabahut. Vakti i mbrëmjes, iftari, mund të fillojë pasi të përfundojë falja e perëndimit, akshami, zakonisht rreth orës 19:30. Meqenëse Profeti Muhamed e prishte agjërimin me hurma dhe një gotë ujë, myslimanët hanë hurma si në syfyr ashtu edhe në iftar. Hurmat, një ushqim bazë në Lindjen e Mesme, janë të pasura me lëndë ushqyese, treten lehtë dhe i japin trupit sheqer pas një dite të gjatë agjërimi.

Pas ditës së fundit të Ramazanit, myslimanët festojnë përfundimin e tij me Fitër Bajramin, “festën e prishjes së agjërimit”, e cila nis me falje të përbashkëta në agim. Gjatë këtyre tri ditëve festime, njerëzit mblidhen për t’u falur, për të ngrënë, për të shkëmbyer dhurata dhe për të nderuar të afërmit e ndjerë. Disa qytete organizojnë edhe panaire dhe falje masive.

Por pavarësisht planeve që besimtarët mund të kenë për syfyrin dhe iftarin këtë vit, fryma e kësaj tradite shekullore mbetet e njëjtë: një kohë për përkushtim fetar dhe vetëreflektim. / NationalGeographic – Syri.net

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments