Tri shënime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të dërguara sipas detyrës zyrtare në Prokurorinë Publike, janë bërë baza kryesore mbi të cilën prokurori Daniel Kocev ka argumentuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi. Vendimi për të shmangur paraburgimin efektiv në burgun e Shutkës është mbështetur në vlerësimet për rrezikimin e sigurisë së tij jetësore.
Sipas informacioneve që transmeton TV 24 nga burime brenda hetimit, alarmi kyç është ndezur më shumë se një vit më parë. Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ishte njoftuar nga një shërbim inteligjent i një vendi fqinj se Grubi ishte shënjestër e një plani për likuidim. “Para një viti, një shërbim inteligjent nga fqinjësia iu drejtua ASK-së me të dhëna të përgjuara, sipas të cilave Artan Grubit i kanosej rrezik për jetën nga një person me të kaluar kriminale dhe i njohur në qarqet e nëntokës,” citon TV 24 burimin nga hetimi.
Pas këtij paralajmërimi, Grubi kishte qenë nën mbrojtje të vazhdueshme policore deri në momentin e arratisjes së tij nga vendi. Edhe gjatë periudhës kur ai ndodhej në arrati, institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna shtesë që konfirmonin se njeriu më i besuar i Ali Ahmetit nuk ishte i sigurt. Megjithatë, mbetet e paqartë baza e fundit e vlerësimit, pasi burime nga ASK dhe MPB pohojnë se nuk është kryer ndonjë vlerësim i ri i sigurisë menjëherë pas arrestimit të tij në pikën kufitare Bllacë.
Ndërsa ASK ka refuzuar të komentojë zyrtarisht rastin, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar tërthorazi informacionet, duke saktësuar se policia nuk ka bërë vlerësim specifik mbi atë se cili institucion ndëshkues do të ishte më i sigurt për qëndrimin e tij. Ky zhvillim vjen pasi Grubi u rikthye në Maqedoninë e Veriut, ku pas një qëndrimi prej vetëm pak orësh në burgun e Shutkës, u transferua në arrest shtëpiak.(INA)

