Komuna e Strugës njofton se më 16 të këtij muaji do të organizohet ankand për shitjen e veturës Audi A6, me çmim fillestar prej 1.344.636 denarë, apo rreth 21.800 euro.
Sipas njoftimit të shërbimit për shtyp të komunës, ankandi do të fillojë në ora 10:00 dhe do të zhvillohet online përmes faqes e-stvari.mk.
Nga komuna bëjnë të ditur se paratë e siguruara nga shitja e veturës do të përdoren për blerjen e një kombi, i cili do të shërbejë për nevojat e administratës komunale dhe të klubeve sportive në qytet.
Gjithashtu, autoritetet komunale informojnë se shpallja nr. 1/2026 për shitjen e sendeve të luajtshme – automjet pasagjerësh – përmes ankandit elektronik është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare.
“Ftojmë të gjitha palët e interesuara të marrin pjesë në ankand. Në platformën e ankandit do të publikohen të gjitha informacionet për automjetin dhe udhëzimet për aplikim”, njoftojnë nga Komuna e Strugës.
Ndryshe, vetura Audi A6, të cilën Komuna e Strugës e kishte blerë për 67.000 euro në kohën kur kryetar i komunës ishte Ramiz Merko, kishte shkaktuar debat të madh publik. Kritikat erdhën për faktin se automjeti ishte blerë në një periudhë kur komuna kishte llogari të bllokuar.
Ndaj Merkos ishte zhvilluar edhe një proces gjyqësor lidhur me këtë rast, por Gjykata në Strugë vendosi se ai nuk mban përgjegjësi për blerjen e automjetit luksoz./citoi:A1on / foto:OhridNews

