Nga Azir ALIU– Ministër i Shëndetësisë
Jehona e dhimbjes nga tragjeditë me një numër të madh viktimash dhe të plagosurish vazhdon të dëgjohet edhe pas perëndimit të ditës në të cilën ato kanë ndodhur. Ajo vazhdon të kumbojë në kujtimet e familjeve që kanë mbetur pa më të dashurit e tyre, në shoqërinë që në heshtje përballet me humbjet, por edhe në institucionet që duhet të pyesin veten nëse kanë qenë mjaftueshëm të përgatitura.
Të tilla ishin tragjeditë në Laskarcë më 13 shkurt 2019, zjarri në spitalin modular në Tetovë më 8 shtator 2021, autobusi që u dogj në Bullgari më 23 nëntor 2021, si dhe tragjedia në Koçan më 16 mars 2025. Ngjarje që nuk janë të njëjta për nga shkaku dhe konteksti në të cilin ndodhën, por që kanë një pikë të përbashkët dhe të dhimbshme – të gjitha na përballin me pyetjen se sa e përgatitur është shteti kur në një kohë shumë të shkurtër duhet të shpëtojë shumë jetë njerëzish.
Prandaj, kur sot flasim për Planin Kombëtar për Veprim në raste me viktima masive, ne tejkalojmë pritjet administrative dhe burokratike se bëhet fjalë vetëm për një dokument tjetër. Ky plan përfaqëson një përpjekje të vendosur për ta shndërruar kujtesën e dhimbshme në pjekuri institucionale. Bëhet fjalë për një vendim që të mos presim një fatkeqësi tjetër për të zbuluar përsëri çfarë na mungon, ku vonojmë dhe kush me kë nuk është mjaftueshëm i lidhur në rrjetin institucional. Ne po vendosim korniza sistemike për një përgjigje shtetërore efikase dhe efektive që do të jetë e menduar paraprakisht, e ushtruar dhe e koordinuar.
Me miratimin e këtij plani, për herë të parë Maqedonia fitoi një kornizë gjithëpërfshirëse për veprim të koordinuar në raste me viktima masive, për rreziqe që mund të lindin nga fatkeqësi natyrore, aksidente trafiku, incidente industriale, zjarre dhe situata të tjera emergjente. Plani u miratua nga Qeveria më 10 mars 2026, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe i harmonizuar me rekomandimet e NATO-s dhe rregulloret ndërkombëtare shëndetësore.
Në përgatitjen e tij u përfshinë shumë institucione dhe shërbime – nga sektori shëndetësor dhe qendrat emergjente, deri te Qendra për Menaxhimin e Krizave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Kryqi i Kuq dhe fakultetet e mjekësisë.
Vlera institucionale e këtij plani qëndron në faktin se ai vendos një arkitekturë të qartë të përgjigjes. Ai parashikon mënyrën se si aktivizohet sistemi, kush merr vendime, si koordinohen institucionet, si kryhet triagjimi, si shpërndahen pacientët, si përdoren burimet e kufizuara dhe si sigurohet vazhdimësia e shërbimeve shëndetësore edhe në kushtet më të vështira.
Me fjalë të tjera, plani i tejkalon qëllimet e mira dhe synon të vendosë rend në orët kur tragjeditë sjellin kaos në institucione dhe rrezikojnë të minojnë përgjigjen e shtetit.
Kur numri i të plagosurve për një kohë të shkurtër i tejkalon kapacitetet e zakonshme, çdo minutë varet nga fakti nëse paraprakisht e dimë cili është hapi i parë, ku dërgohen pacientët, si komunikojnë spitalet dhe si merren vendimet pa procese paralele dhe pa zhurmë institucionale.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i Planit Kombëtar, i cili organizon përgjigjen në tre nivele. Në nivel strategjik sigurohet menaxhim i centralizuar dhe koordinim ndërinstitucional. Në nivel të institucioneve shëndetësore përcaktohet organizimi i pranimit dhe trajtimit, mobilizimi i personelit dhe përdorimi i pajisjeve. Në nivel para-spitalor rregullohen triagjimi në terren, ndihma e shpejtë mjekësore, evakuimi, transporti dhe vendosja e stacioneve të avancuara mjekësore.
Kjo ndërlidhje është thelbësore, sepse pikërisht çarjet midis vendit të ngjarjes, spitalit dhe drejtimit institucional shpesh e bëjnë krizën më të rëndë sesa duhet të jetë.
Evropa e ka mësuar prej kohësh se përgatitja për reagim ndaj ngjarjeve me viktima masive nuk mund të mbështetet në improvizim. Në Francë, për shembull, ORSAN (Organisation de la Réponse du Système de Santé en Situations Sanitaires Exceptionnelles) është një kornizë kombëtare për organizimin e përgjigjes së sistemit shëndetësor në situata të jashtëzakonshme shëndetësore, përfshirë fluksin masiv të të plagosurve. Në nivel të Bashkimit Evropian, Mekanizmi i Mbrojtjes Civile dhe qendra e tij ERCC (Emergency Response Coordination Centre) funksionojnë pikërisht mbi logjikën e koordinimit të përgatitur paraprakisht, 24 orë në ditë, me mundësi mobilizimi të shpejtë të ndihmës kur kapacitetet e një shteti janë të mbingarkuara.
Mësimi sistemik është i qartë: sistemet e pjekura nuk presin krizën për t’u organizuar – ato organizohen para krizës.
Për këtë arsye, për mua ky plan ka edhe një domethënie më të gjerë. Ai është një test nëse shteti është i aftë të mësojë nga gabimet dhe mangësitë e së kaluarës. Nëse mund të nxjerrë nga çdo tragjedi një mësim sistemik dhe të ndërtojë një kujtesë institucionale, duke treguar njëkohësisht se solidariteti i qytetarëve, përkushtimi i mjekëve dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë do të plotësohen me përmirësime sistemike dhe forcim të institucioneve.
Në Laskarcë, Tetovë, Bullgari dhe Koçan pamë diçka që nuk duhet harruar kurrë – sa e madhe është vetëflijimi njerëzor kur sistemi vihet përballë provës më të vështirë. Por pamë gjithashtu se vetëflijimi, në vetvete, nuk mund të jetë shtylla e vetme e gatishmërisë kombëtare. Nuk është e drejtë as ndaj punonjësve shëndetësorë dhe as ndaj qytetarëve që shteti të presë që guximi gjithmonë ta kompensojë mungesën e përgatitjes sistemike. Detyrimi i institucioneve është ta mbështesin atë guxim me një përgjigje të strukturuar dhe të përgatitur në kohë.
Prandaj, Plani Kombëtar për veprim në raste me viktima masive duhet të kuptohet si fillim, jo si një punë e përfunduar. Vlera e tij e vërtetë do të vërtetohet atëherë kur të shndërrohet në trajnime të rregullta, skenarë simulimi, verifikim të kapaciteteve spitalore, ndërveprueshmëri mes institucioneve dhe në një kulturë të përgatitjes që nuk do të varet nga kush është në detyrë, por nga çfarë sistemi kemi ndërtuar.
Shteti nuk mund t’u premtojë qytetarëve se tragjedi nuk do të ketë më kurrë. Por duhet t’u premtojë diçka tjetër – se nuk do të hyjë në to i papërgatitur. Kjo është më e pakta që ua kemi borxh viktimave të Laskarcës, Tetovës, Bullgarisë dhe Koçanit. Dhe kjo është më e pakta që ua kemi borxh të gjitha brezave që do të vijnë.

