Ministri Durmishi zhvilloi një takim pune me Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ku në qendër të diskutimeve ishte Metodologjia e re për Thjeshtimin e Procedurave Administrative.
Gjatë takimit, Durmishi theksoi rëndësinë e kësaj reforme në kuadër të Agjendës Reformuese 2024–2027, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate më efikase dhe më të orientuar ndaj nevojave të bizneseve.
“Thjeshtimi i procedurave administrative është thelbësor për uljen e burokracisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, deklaroi Durmishi.
Në kuadër të këtij procesi, janë hartuar 100 procedura administrative, nga të cilat 50 janë identifikuar si prioritare për thjeshtim. Në sektorin e mjedisit, mbi 30 procedura janë veçuar si kyçe për përmirësim, duke reflektuar nevojën për ndërhyrje konkrete në këtë fushë.
Bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për zbatimin e reformave, me qëllim krijimin e një administrate më funksionale dhe një klime më të favorshme për biznesin.

