Vazhdon sjellja devijante në komunikacion pavarësisht se nga 1 shkurti, rrugët kryesore janë nën vëzhgim të kamerave. Gjatë ditës së djeshme në bulevardin “Goce Dellçev” në Shtip, një veturë e tipit Golf është regjistruar me shpejtësi prej 105km/h në vendbanim ku shpejtësia maksimale e lejuar është 50km/h.
“Ndaj shoferit S.I. (21) nga Shtipi janë ndërmarrë masat përkatëse dhe ai do të përballet me sanksionin e paraparë me ligj. Kontrollet në komunikacion me automjetet speciale për matjen e shpejtësisë do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në territorin e shtetit”, deklaruan nga MPB.
– Janë ndërmarrë masa përkatëse kundër shoferit S.I (21).
– Kontrollet me automjete speciale mobile vazhdojnë periudhën e ardhshme.
Një ditë më parë gjithashtu policia kishte arrestuar nëntë shoferë, gjashtë prej të cilëve kishin vozitur pa patent shofer, e mes të cilëve dhe një i mitur. Që nga vendosja në fuqi e sistemit “Safe City”, deri më datë 18 mars janë regjistruar mbi 33 mijë shkelje në komunikacion por nga MPB nuk zbulojnë saktësisht se për çfarë shkeljes bëhet fjalë.
“Në periudhën nga 2 shkurti deri më 18 mars 2026, nga ana e sistemit “Qyteti i Sigurt”, në zonat e qyteteve dhe korridoreve ku janë të vendosura kamerat, janë regjistruar gjithsej 33,201 shkelje”, theksuan nga MPB.
– Nga 2 shkurti deri më 18 mars, janë regjistruar gjithsej 33,201 shkelje.
Shkeljet e regjistruara në komunikacion nga ana e sistemit “Safe City”, kryesisht janë për shpejtësi të lartë mbi të lejuarën. Siç njoftuan nga MPB ditë më parë, nga 27 mijë shkelje që ishin regjistruar deri më 10 mars, 26 mijë prej tyre kishin të bëjnë për tejkalim të shpejtësisë, 1000 për regjistrim të skaduar dhe mbi 250 për kalim në semafor të kuq. Për parkim apo ndalim të pa lejuar të cilën është njoftuar se e regjistrojnë kamerat, deri tani nuk ka informacione për sanksionime./ Alsat.mk.

