“Dje patëm kënaqësinë të marrim pjesë në një drekë pune të rëndësishme, e organizuar në rezidencën e Ambasadës së Suedisë, e shtruar nga përfaqësuesit e Zvicrës dhe Suedisë”, ka njoftuar kreu i komunës Feti Abazi, në faqen e tij zyrtare të Facebookut.
Më tej, ai ka ndarë detaje nga projekti trilateral, “Komunitete me Integritet”.
“Kjo drekë u realizua në kuadër të projektit “Komunitete me Integritet”, i cili synon forcimin e kapaciteteve administrative për parandalimin e korrupsionit, rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për rolin e tyre në këtë proces të rëndësishëm.
Atmosfera ishte jashtëzakonisht pozitive, e hapur dhe bashkëpunuese, duke reflektuar përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e institucioneve më të përgjegjshme dhe më transparente. Si Komunë e Bogovinës, jemi të nderuar që jemi pjesë e këtij projekti dhe që kontribuojmë në avancimin e këtyre vlerave.
Shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj ambasadave të Zvicrës dhe Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë komunës sonë ndër vite”, ka mbaruar, Abazi.

