Prej sot hyjnë në fuqi rregullat e reja për qytetarët që nuk janë shtetas të ndonjë vendi të Bashkimit Evropian, përcjell TV21. Sistemi EES (Entry/Exit System) zëvendëson vulat me një kontroll më të shpejtë digjital.
Sistemi i ri do të ndihmojë policinë kufitare të vendeve të BE-së të regjistrojë se kush hyn e kush del nga Zona Shengen, dhe me këtë të regjistrojë tejkalimin e afatit të lejuar për qëndrim.
Nëse keni një leje qëndrimi apo pasaportë të vendeve të BE-së, asgjë nuk do të ndryshojë për ju.
E nëse jeni vizitor, do t’u skanohet pasaporta. Do të duhet të fotografoheni, respektivisht t’u regjistrohet fytyra, dhe do t’u merren shenjat e gishtërinjve, në herën e parë që do të hyni në Zonën Shengen. Pastaj, çdo herë që të kaloni kufirin, kufi jashtë BE-së, sistemi do të regjistrojë datat e hyrjes dhe daljes automatikisht.
Sipas autoriteteve evropiane, kjo bëhet me qëllim identifikim më të shpejtë dhe monitorim më efikas të qëndrimit të lejuar sipas rregullës “90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh”.
Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017. Vlen për gati 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e shtetasve të tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipa ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.
Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.

