Bekim Fazliu, përfaqësues i Lëvizjes Arbëria, ka reaguar ashpër përmes një shkrimi publik, duke ngritur shqetësime serioze mbi, sipas tij, deformimin e sistemit dhe privilegjet e padrejta që gëzojnë familjarët e figurave politike.
Në reagimin e tij, Fazliu thekson se një “e vërtetë brutale” po injoohet nga opinioni publik dhe institucionet, duke akuzuar për raste të shumta nepotizmi dhe favorizimi. Ai përmend shembuj konkretë, ku djem dhe nipa të liderëve politikë bëhen milionerë në moshë të re, përfitojnë kontrata publike apo avancojnë në karrierë pa përmbushur kriteret ligjore.
Sipas tij, këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një sistemi të ndërtuar gabim. “Rastësi? Jo! Sistem i ndërtuar mbrapsht,” shkruan Fazliu, duke shtuar se pushteti është shndërruar në mjet për pasurim personal dhe familjar.
Reagimi i plotë:
“Një e vërtetë brutale, me të cilën nuk doja të merresha. Por disa gjëra, dreqi e marrtë, nuk mund t’i kalojmë në heshtje. Për të gjithë ju që mendoni se nuk e shohim realitetin që përpiqeni ta maskoni. Djali dhe nipi i një lideri, të dy milionerë që në moshë të re. Djali i një ish-ministri, me biznes milionësh në sektorin energjetik. Djali i një tjetër ish-ministri , pa mbushur 18 vjeç, merr kontrata dhjetëra mijëra euroshe nga ndërmarrjet publike. Djali i një ish-kryeministri, kalon provimin e jurisprudencës pa plotësuar kushtet dhe bëhet prokuror. Madje edhe provimin nuk atë kohë e dha në maqedonisht, por ky fakt as që i pengonte babait të tij. Djem funksionarësh të përfshirë në skandale me drogë. Të tjerë, në histori edhe më poshtëruese. Dhe lista vazhdon. Rastësi? JO! Sistem i ndërtuar mbrapsht. Familja është e shenjtë. Secili prej nesh ka fëmijë dhe askush nuk e di çfarë sjell e nesërmja. Por kur pushteti kthehet në mjet pasurimi, kur dikush e vendos veten mbi ligjin dhe mbi të tjerët, pasojat nuk mbeten vetëm në shoqëri. Ato hyjnë edhe brenda vetë familjeve! Fëmijët kanë më së paku faj. Janë viktima, si të gjithë ne, të një sistemi të ndërtuar keq. Më e pakta që mund të bëjë kjo kastë politike është të tërhiqet. Jo të vazhdojë ende të defilojë në skenë, sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka shkruar Fazliu.

