Deputeti i VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj kritikave dhe debatit të krijuar pas bashkimit të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik, duke thënë se sulmet po vijnë nga frika e humbjes së “monopolit politik”.
Azizi vlerëson se për herë të parë në historinë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk po ndodh përçarja e një partie në disa pjesë, por bashkimi i pesë subjekteve në një front të përbashkët.
“Sipas tij, në vend që ky bashkim të përshëndetej si pjekuri politike dhe si mundësi për një përfaqësim më të fuqishëm shqiptar, janë shtuar sulmet dhe akuzat për të devijuar vëmendjen nga thelbi i ngjarjes”, thuhet në reagimin e tij.
Duke komentuar debatet për intonimin e himnit të Bashkimit Evropian në kongresin e VLEN-it, Azizi akuzon kundërshtarët për standarde të dyfishta, duke kujtuar se në kongreset e fundit të tyre nuk ishte lëshuar as himni kombëtar shqiptar.
Ai e cilëson reagimin ndaj VLEN-it si “stuhi artificiale patriotizmi”, duke shtuar se patriotizmi nuk matet me një ceremoni të vetme, por me përkushtimin ndaj interesit kombëtar, bashkimit të shqiptarëve dhe perspektivës euro-atlantike.
Në fund, Azizi thekson se ajo që po shqetëson kundërshtarët politikë është fakti se “shqiptarët po bashkohen”, ndërsa sipas tij, ata që kanë përfituar nga përçarja ndihen të rrezikuar nga ky proces.

