8 C
Tetovo
E premte, 22 Maj, 2026
BallinaLajmeMaqedoniKomuna e Tetovës krenare me dy arsimtarë që u vlerësuan si “Arsimtar-Këshilltar”...

Komuna e Tetovës krenare me dy arsimtarë që u vlerësuan si “Arsimtar-Këshilltar” Fatime Durmishi dhe Ramiz Iljazi

Pas viteve të tëra përkushtim në arsim dhe dashuri ndaj dijes, dy arsimtarë nga Tetova janë vlerësuar sot me titullin e lartë “Arsimtar-Këshilltar”.

Bëhet fjalë për arsimtaren Fatime Bexheti-Durmishi nga ShFK “Naim Frashëri” dhe arsimtarin Ramiz Iljazi nga ShFK “Besa” në Reçicë të Vogël, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre shumëvjeçar arritën një tjetër sukses profesional në fushën e arsimit.

Nga 12 shkollat fillore të Komunës së Tetovës, ata ishin ndër të parët që aplikuan në konkursin e hapur për titullin arsimtar-mentor në janar të vitit 2021. Pas katër vitesh përkushtim dhe pune të vazhdueshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në korrik të vitit 2025 hapi konkursin për avancim nga arsimtar-mentor në arsimtar-këshilltar, ku sërish Fatime Bexheti-Durmishi dhe Ramiz Iljazi aplikuan me bindjen se plotësojnë të gjitha kriteret profesionale.

Sot, përkushtimi i tyre u kurorëzua me sukses duke marrë titullin “Arsimtar-Këshilltar”.

Gjatë karrierës së tyre në arsim, ata kanë kontribuar në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja, duke dëshmuar se misioni i mësuesit nuk është vetëm përcjellja e njohurive, por edhe frymëzimi, motivimi dhe ndërtimi i vlerave njerëzore tek nxënësit.

Përveç punës me nxënësit, ata kanë ndihmuar edhe në përgatitjen profesionale të arsimtarëve praktikantë, duke ndarë përvojën dhe praktikat më të mira edukative. Në periudhën më sfiduese të pandemisë, angazhimi i tyre vazhdoi përmes përgatitjes së video-leksioneve dhe materialeve digjitale, në mënyrë që procesi arsimor të mos ndalej.

Ata theksojnë se arsimi mbetet themeli kryesor i zhvillimit të shoqërisë dhe se çdo nxënës meriton mundësi për të mësuar në mënyrë kreative, bashkëkohore dhe motivuese.

Mirënjohja e tyre shkon për nxënësit, kolegët dhe prindërit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi profesional, ndërsa suksesi i nxënësve mbetet motivimi dhe krenaria më e madhe për çdo arsimtar.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments