Të punësuarit në bizneset e lojërave të fatit dalin përsëri në rrugë. Ata kërkojnë që ligji i ri që parashikon distancë prej 500 metrash nga shkollat fillore dhe të mesme për kazinotë, të mos miratohet. Ata thonë se janë të përgatitur të organizojnë protesta edhe më masive.
Nëse miratohet ligji, 10 mijë të punësuar nga ky sektor do të mbesim në rrugë. Kjo do të thotë se bashkë me familjet tona, do të bëhemi 35 mijë kandidatë të rinj për shpërngulje jashtë vendit. Nëse ky sektor ekonomik pushon së ekzistuari në Maqedoni ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveç që të aplikojmë në shtetet tjera, në BE, në vendet perëndimore për të punuar në vendet e punës në të cilat kemi punuar deri tani dhe jemi trajnuar” deklaroi një e punësuar gjatë protestave.
Të punësuarit nuk janë të vetmit që reagojnë për propozim-ligjin e ri.
Organizatat joqeveritare, përmes një komunikate, hapin alarmin për mundësinë e keqpërdorimit të mjeteve nga lojërat e fatit të destinuara për kategoritë e rrezikuara, në rast se propozim-ligji i ri miratohet në formën që është. Me propozimin e ri organizatat qytetare dhe shoqatat e invalidëve, ata të luftës kundër dhunës familjare dhe Kryqi i Kuq, nuk përfshihen më në ligj si përfitues të 50% të mjeteve që shteti fiton nga lojërat e fatit. Neni në ligjin e ri parashikohet që mjetet të përdoren për financimin e kategorive të rrezikuara, personave të moshuar dhe të dobët, viktimave të dhunës në familje dhe personave me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.

