Problemi me kalimin e paligjshëm të këmbësorëve në Bit Pazar do të zgjidhet, deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Sipas tij, ekzistojnë vetëm dy alternativa: ose kalimi të legalizohet në përputhje me ligjin dhe të hiqet pengesa për qarkullimin, ose ura për këmbësorë të vihet plotësisht në funksion dhe kalimi aktual të mbyllet.
Gjorgjievski bëri të ditur se gjatë ditës së sotme ose gjatë fundjavës do të zhvillojë takim me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për të diskutuar zgjidhjen e këtij problemi.
“Qytetarët kërkojnë rend në kryeqytet. Është e natyrshme të ketë rezistencë, por Qyteti vepron në përputhje me ligjin. Jam këmbëngulës kur bëhet fjalë për respektimin e rregullave që duhet të vlejnë njësoj për të gjithë. Pikërisht mungesa e besimit te institucionet ka bërë që shumë të rinj të largohen nga vendi. Duhet të ndërtojmë një shoqëri ku të gjithë janë të barabartë dhe ku nuk ka të privilegjuar, pavarësisht përkatësisë etnike”, deklaroi Gjorgjievski.

