Drejtori i Agjencia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore – MALMED, Sabri Aliti, së bashku me zëvendësdrejtoreshën Maja Kovaçeva, morën pjesë në konferencën “Politikat Shëndetësore për Farmacinë: Nga Standardet Evropiane Deri te Implementimi Kombëtar”, e mbajtur në Prishtinë. Konferenca shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e farmacisë dhe politikave shëndetësore në rajon.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e harmonizimit të politikave farmaceutike me standardet evropiane, forcimi i rolit të farmacistit në sistemin shëndetësor, si dhe ndërtimi i sistemeve farmaceutike të sigurta, transparente dhe efikase në shërbim të qytetarëve. Në kuadër të konferencës, drejtori Sabri Aliti mori pjesë edhe në panel-diskutimin ku u trajtuan sfidat dhe perspektivat e politikave farmaceutike në rajon, si dhe rëndësia e bashkëpunimit institucional për avancimin e sistemit shëndetësor dhe afrimin me standardet evropiane.
Nga MALMED u shpreh mirënjohje për Oda e Farmacistëve të Kosovës dhe kryetarin Kadri Bytyqi për kontributin e tyre në avancimin e profesionit farmaceutik. Agjencia theksoi se mbetet e përkushtuar në vazhdimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërinstitucional, me fokus mbrojtjen e shëndetit publik dhe përmirësimin e politikave farmaceutike sipas standardeve evropiane.

