8 C
Tetovo
E shtunë, 23 Maj, 2026
BallinaLajmeMaqedoniMiliona receta – Qytetarët e Maqedonisë vuajnë nga sëmundjet e zemrës, diabetit...

Miliona receta – Qytetarët e Maqedonisë vuajnë nga sëmundjet e zemrës, diabetit dhe çrregullimet nervore

Në vitin 2025, struktura e konsumit të barnave në Maqedoninë e Veriut tregon se qytetarët trajtohen më së shumti për sëmundje kronike, ku dominojnë barnat për sistemin kardiovaskular, diabetin dhe çrregullimet metabolike. Më i përdoruri është metformina për diabetin, ndërsa ndër barnat me shpenzime më të larta kryeson rosuvastatina për uljen e yndyrnave në gjak, gjë që tregon se problemet kryesore shëndetësore lidhen kryesisht me sëmundjet e zemrës dhe metabolizmit. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e konsumit i takon barnave për sistemin nervor qendror (SQN), të cilat përfshijnë terapi për depresionin, ankthin, çrregullimet psikike, duke reflektuar edhe rritje të trajtimeve për shëndetin mendor dhe neurologjik, transmeton Portalb.mk.

Në total, gjatë vitit 2025 janë realizuar mbi 27.3 milionë receta në vlerë rreth 3.6 miliardë denarë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me rritje prej 4,53% në numrin e recetave dhe 9,9% në shpenzime krahasuar me vitin paraprak.

“Konsumi i barnave me recetë në barrë të Fondit përmes barnatoreve shënon rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2025, në barrë të FSSH-së në barnatoret private (ISHP) janë realizuar gjithsej 27.334.693 receta me vlerë prej 3.597.646.608 denarë. Në krahasim me vitin e kaluar, në vitin 2025 numri i recetave është rritur për rreth 4,53%, ndërsa shuma totale e faturuar është rritur për 9,9%. Krahasimi i konsumit të barnave me recetë sipas numrit të recetave të realizuara sipas muajve për periudhën 2023–2025 është paraqitur në grafikun më poshtë”, thuhet në raportin vjetor të FSSH-së.

Konsumi mesatar për një të siguruar ka arritur në 14,8 receta në vit, me shpenzim mesatar prej 1.953,62 denarësh, ndërsa në të gjitha rajonet është vërejtur rritje e përdorimit të barnave. Rajoni lindor ka nivelin më të lartë të konsumit, ndërsa Pollogu më të ulëtin.

“Konsumi mesatar i barnave sipas numrit të recetave të realizuara për një të siguruar në vitin 2025 është 14,8 receta, që paraqet rritje prej rreth 4,4% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shpenzimi mesatar i faturuar për një të siguruar në nivel të RMV-së në vitin 2025 është 1.953,62 denarë, që paraqet rritje prej rreth 9,87% krahasuar me vitin 2024.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments