Zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN-it, Astrit Iseni, ka reaguar ndaj akuzave të ish-deputetit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili pretendoi se polici që vite më parë hoqi në mënyrë demonstrative flamurin shqiptar në Kumanovë është avancuar dhe se dy djemtë e tij janë punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Përmes një reagimi publik, Iseni i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke theksuar se polici në fjalë nuk është avancuar.
“I përkëdheluri i partisë, Arbër Ademi, pasi për vite me radhë shijoi privilegjet e pushtetit e nuk guxoi të zgjidhte problemet reale të shqiptarëve, sot e ka shndërruar gënjeshtrën në mënyrë të vetme të të bërit opozitë”, ka shkruar Iseni.
Ai ka theksuar se pretendimi kryesor i Ademit nuk qëndron.
“Edhe një herë po e themi qartë: polici për të cilin flet Arbër Ademi nuk është avancuar. Pikë”, ka deklaruar Iseni.
Sipas tij, opozita po përdor manipulime për mungesë alternativash politike.
“Pse e bën këtë? Sepse kur nuk ke çfarë t’u ofrosh qytetarëve, mbetet vetëm manipulimi. Fatkeqësisht për Arbërin, shqiptarët nuk janë naivë. Në Kumanovë njihemi të gjithë dhe e dinë shumë mirë të vërtetën. Gënjeshtra e përsëritur njëqind herë nuk bëhet e vërtetë”, ka përfunduar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

