Incidenti ka ndodhur në Kisela Vodë, ndërsa policia po kërkon sulmuesin që ka sulmuar fizikisht një shofer autobusi 59-vjeçar.
Shkup – Një shofer autobusi i JSP-së është sulmuar fizikisht nga një pasagjer ndërsa ishte në vendin e punës, informon Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas informacioneve, 59-vjeçari M.S. nga fshati shkupian Bardovc, i cili punon si shofer autobusi në JSP, të enjten e ka denoncuar rastin në SVR Shkup.
Sulmi, sipas denoncimit, ka ndodhur mbrëmjen e mëparshme, rreth orës 22:00, në një stacion autobusi në lagjen shkupiane Kisela Vodë.
Ndërsa po kryente detyrat e tij të punës, shoferi është sulmuar fizikisht nga një person që më parë ishte transportuar me autobus.
Nga MPB informojnë se po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe për gjetjen e sulmuesit.

