Shkupi pritet të nisë pranverën e ardhshme ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore që do të lidhë drejtpërdrejt Stacionin e Ri Hekurudhor me Aeroportin Ndërkombëtar në Petrovec. Sipas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, udhëtimi nga qendra e qytetit deri te terminali i aeroportit do të zgjasë vetëm 8 deri në 11 minuta.
Projekti është pjesë e planit për modernizimin e transportit hekurudhor dhe transformimin e transportit publik në kryeqytet.
Zgjerohen linjat e trenit urban
Pas funksionalizimit të linjës së parë të trenit urban, autoritetet po përgatisin edhe zgjerimin e rrjetit. Një pikë e re hekurudhore pritet të ndërtohet pranë lagjes “11 Oktomvri Baraka” në Komunën e Kisella Vodës, ndërsa planifikohet edhe vendosja e pikave për biçikleta dhe harmonizimi i orareve me transportin publik të JSP-së.
Projekti parashikon edhe dy linja të reja:
* Linja e dytë: Stacioni i Ri – Autokomandë – Maxhari – Çento – Ilinden – Agino Sellë.
* Linja e tretë: Volkovo – Gjorçe Petrov – Shkup Veri – Butel – Stacioni i Ri.
Sipas Nikolloskit, reagimet e para të qytetarëve ndaj trenit urban kanë qenë shumë pozitive, ndërsa përdorimi i trenave elektrikë synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga zonat periferike drejt qendrës.
Trenat e rinj me mbështetje ndërkombëtare
Ministria e Transportit po punon edhe për modernizimin e flotës hekurudhore.
Përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) janë duke u siguruar pesë lokomotiva të reja elektrike për elektrifikimin e transportit të mallrave.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po finalizohet blerja e 4 deri në 6 trenave të rinj modernë për udhëtarë, të pajisur sipas standardeve evropiane dhe me hapësira të veçanta për biçikleta dhe kafshë shtëpiake. përcjell Zhurnal.mk .

