8 C
Tetovo
E diel, 20 Shtator, 2026
BallinaLajmeRajoniKurti në New York: Qeveria do të angazhohet për ndryshimin e verdiktit...

Kurti në New York: Qeveria do të angazhohet për ndryshimin e verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për të kundërshtuar verdiktin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e diasporës shqiptare në New York, Kurti e cilësoi vendimin si “të padrejtë juridikisht e moralisht” dhe “të pasaktë historikisht e faktikisht”.

Ai tha se nevojitet një strategji shtetërore për reagim ndaj verdiktit, përfshirë mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në apel dhe angazhimin diplomatik.

Kurti gjithashtu tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe për zbardhjen e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Postimi i plotë:
Në ditën e parë të qëndrimit në New York, pata kënaqësinë të zhvilloj një bashkëbisedim frymëzues, “Between Here and Home”, me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë, organizuar nga tri grupe të të rinjve shqiptaro-amerikanë: ZANI, F’Oda, dhe Columbia University Albanian Society. Krahas kolegëve nga Qeveria e Republikës së Kosovës në delegacionin tonë janë edhe kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe deputeti Shaip Kamberi.

Biseduam mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë rritjen ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë të këtij viti, si dhe uljen e papunësisë nga 26% në 10% gjatë qeverisjes sonë. Sikurse edhe për nevojën për përmirësimin e mëtejshëm në integritetin dhe performancën e sistemit gjyqësor, i cili vazhdon të jetë cak i kritikave në raportet ndërkombetare, përfshirë atë të Komisionit Evropian.

Është e domosdoshme që të rinjtë të kontribuojnë në forcimin e barazisë gjinore dhe në promovimin e bashkëpunimit midis shqiptarëve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në mbarë botën.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm.

Do të bashkëpunojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të angazhohemi pandërperë në mbrojtjen e luftës sonë çlirimtare përballë propagandave të Serbisë dhe, njëkohësisht, në zbardhjen e masakrave dhe krimeve të tjera të Serbisë në Kosovë, të cilat Beogradi zyrtar, mbi 27 vjet pas përfundimit të luftës, po përpiqet akoma t’i fshehë.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments