Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar pas zhvillimeve në Shqipëri lidhur me drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut. Sipas njoftimeve të SPAK-ut, Hyseni është nën hetim për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”.
Në reagimin e tij, Azizi thotë se raste të tilla duhet të shërbejnë si alarm për mënyrën se si menaxhohen institucionet e sigurisë dhe si përzgjidhen personat në pozitat më të ndjeshme shtetërore.
“Të vendosësh njerëz në krye të institucioneve më të ndjeshme të sigurisë, ndërkohë që ndaj disa prej tyre ngrihen akuza apo dyshime për lidhje me shërbime serbe dhe krimin e organizuar, nuk është një çështje që mund të kalohet me heshtje. Është kambanë alarmi për të gjithë ne”, shkruan Azizi.
Ai thekson se nuk bëhet fjalë për “luftë partiake” dhe as për shpalljen e dikujt patriot apo tradhtar pa prova dhe vendime gjyqësore, por për nevojën që institucionet të kenë mekanizma të fortë kontrolli dhe përgjegjësi të qartë.
Azizi ngre pyetjen se si mund t’u besohet informacioni më i ndjeshëm shtetëror personave ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime serioze dhe, sipas tij, nëse pretendimet vërtetohen, përgjegjësia duhet të kërkohet përtej individëve.
“Nëse këto pretendime vërtetohen, atëherë kemi përpara një problem shumë më të madh se individët. Kemi problem me sistemin, mekanizmat e kontrollit dhe përgjegjësinë politike të atyre që i kanë vendosur në këto pozita”, shprehet deputeti i VLEN-it.
Në reagim, Azizi përmend edhe veprimtarinë e Serbisë në arenën ndërkombëtare, duke thënë se kjo duhet të shërbejë si shtysë për reflektim mbi dobësitë dhe dështimet institucionale.
Ai lidh këtë çështje edhe me zhvillimet rreth proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar nevojën për reflektim dhe forcim të institucioneve.
Në fund, Azizi thotë se siguria kombëtare nuk duhet të mbështetet në “patriotizëm folklorik”, por në institucione profesionale, njerëz të aftë dhe mekanizma seriozë kontrolli.
“Institucionet e sigurisë nuk janë pronë e partive, qeverive apo individëve. Janë mburoja e shtetit”, përfundon Azizi.

