Kreu i komunës së Bogovinës Feti Abazi, në bashkëpunim me drejtorin e Parkut të Malit Sharr dhe zv/ministrin e Mbrojtjes Admir Shabani, ka njoftuar në Facebook, se sot ka filluar sanimi i rrugëve malore, deri në Bjeshkët e Sharrit. Në kuadër të kësaj iniciative, do intervenohet në mbi 10 kilometra rrugë malore, me makineri të rënda, ka nënvizuar, Abazi.
Postimi i plotë, nga Abazi:
“Përmirësojmë qasjen në bjeshkët e Komunës së Bogovinës!
Rrugët malore janë arterie të rëndësishme për zhvillimin e blegtorisë, turizmit malor dhe fshatrave malore.
Në bashkëpunim me Parkun Kombëtar të Malit Sharr dhe Ushtrinë, kemi nisur sanimin e rrugëve malore në territorin e Komunës së Bogovinës. Në kuadër të këtij aktiviteti do të intervenohet në mbi 10 kilometra rrugë me makineri të rënda.
Falënderoj drejtorin e Parkut Kombëtar të Malit Sharr, Evzal Elmazi, dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes, Admir Shabani, për bashkëpunimin dhe mbështetjen.
Bashkë për një qasje më të mirë dhe zhvillim më të qëndrueshëm të bjeshkëve tona!”, ka përfunduar, ai.

