Deklarata e Arben Taravarit për Artan Grubin ngre një pyetje të thjeshtë: si mund të ndryshojë kaq shumë qëndrimi politik ndaj të njëjtit person?
Në vitin 2021, sipas pretendimeve të bëra publikisht, Taravari ishte ulur në një tavolinë me Dimitar Apasievin, liderin e Levicës, në kohën kur diskutohej rrëzimi i Artan Grubit dhe krijimi i një shumice të re parlamentare. Nëse është e saktë se këto negociata janë zhvilluar pa autorizim të strukturave të ASH-së, atëherë Taravari duhet të shpjegojë publikisht atë veprim.
Sidomos një pyetje: çfarë e dallonte atëherë Dimitar Apasievin nga Ivan Stoilkoviqi? Sot Taravari e përdor Stoilkoviqin si pikë krahasimi për të mbrojtur Grubin. Por me Apasievin, sipas pretendimeve, negocionte për një shumicë të re parlamentare që do ta rrëzonte pikërisht Grubin nga pushteti.
Sot, ndërkohë, Taravari thotë se Grubi, “me të gjitha dobësitë”, nuk mund të krahasohet me Stoilkoviqin.
Por për Artan Grubin ka 1.000 kritika që nuk mund të fshihen me një deklaratë televizive.
Grubi përfundoi nën hetim dhe akuzë për vepra të dyshuara korruptive dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e Lotarisë Shtetërore. Ai qëndroi rreth një vit jashtë vendit, përpara se të kthehej në shkurt 2026 dhe të përballej me organet e drejtësisë. Akuzat ndaj tij janë çështje që duhet t’i vlerësojë gjykata.
Në planin politik, mbeten gjithashtu pyetje serioze për periudhën e tij në pushtet: procesin e integrimit evropian, ndryshimet kushtetuese dhe dështimin për të siguruar shumicën prej dy të tretash për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, pavarësisht se shumica e atëhershme, së bashku me opozitën shqiptare, kishte 81 deputetë.
Prandaj, pyetja për Taravarin është e drejtpërdrejtë:
Nëse sot Artan Grubi nuk duhet të krahasohet me Stoilkoviqin, çfarë mendonte Taravari në vitin 2021 kur negocionte për një shumicë të re parlamentare me Apasievin dhe synonte largimin e Grubit nga pushteti? Dhe, mbi të gjitha, çfarë e dallonte për të Apasievin nga Stoilkoviqi?
Politika mund të ndryshojë. Qëndrimet mund të ndryshojnë. Por publiku ka të drejtë të kërkojë konsistencë dhe përgjigje

