Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi vlerëson se të drejtat e fituara tashmë të punëtorëve nuk duhet të shkurtohen. Duke komentuar iniciativën e Odës ekonomike për shkurtimin e festave, ministri tha se kjo kërkesë nëse arrin tek ata, “do të vihet përsëri për shqyrtim në seancën e Këshillit Ekonomiko-social (KES) të planifikuar për 19 tetor”.
Punëtorët kanë fituar të drejtat që u takojnë. Festat janë për qytetarët që i përkasin çdo feje dhe ne nuk do të ndërhyjmë në atë fushë”, tha Durmishi në konferencën e sotme për shtyp, ku prezantoi shportën e konsumatorit për muajin gusht të përgatitur nga ministria.
Ai thotë se deri më tani nuk ka arritur asnjë propozim nga Oda ekonomike, por nëse ka një kërkesë të tillë, ajo do të vihet në shqyrtim nga KES.
“Duhet të punojmë për rritjen e produktivitetit brenda institucionit dhe jo të demotivojmë punonjësit me këto hapa”, ka thënë Durmishi, duke lënë hapësirë që kjo të diskutohet në KES.

