Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në forumin “NextGen CareerUp”, i cili u mbajt në Tetovë, i organizuar nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës.
Në kuadër të forumit, ministri Durmishi ishte pjesë e panel diskutimit “Tejkalimi i hendekut: nga arsimi në punësim”, kushtuar sfidave me të cilat përballen të rinjtë kur hyjnë në tregun e punës, nevojës për aftësi praktike dhe bashkëpunimit më të mirë ndërmjet institucioneve arsimore, kompanive dhe institucioneve shtetërore.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se krijimi i mundësive cilësore për të rinjtë është një nga prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ku vëmendje e veçantë i kushtohet masave aktive të punësimit, praktikës, sipërmarrësisë dhe zhvillimit të shkathtësive që korrespondojnë me nevojat reale të ekonomisë.
“Detyra jonë është të ndihmojmë çdo të ri të bëjë hapin më të rëndësishëm – nga arsimi në përvojën e parë të punës. Diploma është bazë e rëndësishme, por të rinjtë kanë nevojë edhe për njohuri praktike, mentorim dhe mundësi për të treguar potencialin e tyre. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte në të cilat punësimi i parë nuk do të jetë pengesë, por fillimi i një zhvillimi të suksesshëm profesional”, theksoi ministri Durmishi.
Ai theksoi se Plani Operativ për Punësimin për vitin 2026 parashikon mbështetje për mbi 10.000 qytetarë, me theks të veçantë te të rinjtë e papunë deri në moshën 29 vjeç.
Plani përfshin disa masa aktive, ndër të cilat grante për vetëpunësim, punësim të subvencionuar, trajnime për profesione deficitare dhe praktika, përmes të cilave parashikohet të përfshihen 1.150 të rinj.
“Nuk ka zgjidhje të vetme që u konvenon të gjithë të rinjve. Dikush ka nevojë për trajnim shtesë, dikush tjetër për përvojë të parë praktike dhe dikush tjetër për mbështetje për të filluar biznesin vetanak. Prandaj, politikat tona synojnë krijimin e mundësive të ndryshme, me një qëllim të përbashkët – që të rinjtë të kenë një perspektivë reale për punë, përparim dhe një të ardhme të sigurt në vendin e tyre”, tha Durmishi.
Theks i veçantë në diskutim iu kushtua nevojës për lidhje më të madhe midis arsimit të lartë dhe sektorit privat, si dhe rëndësisë së praktikës dhe mentorimit në përgatitjen e të rinjve për mjedisin e punës.
Ministri theksoi se praktika është e rregulluar me ligj dhe se thelbi i saj nuk është vetëm fitimi i përvojës së punës, por edhe sigurimi i një procesi mësimor cilësor, me detyra të përcaktuara qartë, kompensim adekuat dhe mbështetje mentoruese.
“Të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për mundësinë për të hyrë në një kompani, por edhe për mundësinë për të mësuar diçka atje, për të fituar vetëbesim dhe për të zhvilluar kompetenca profesionale. Prandaj, mentorimin duhet ta shohim si investim në stafin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë, kompanitë duhet t’i njohin të rinjtë si potencial që duhet të zhvillohet, e jo si fuqi punëtore nga e cila pritet menjëherë përvojë e plotë”, theksoi ministri.
Duke folur për nevojat e tregut të punës, Durmishi theksoi se programet arsimore dhe masat aktive të punësimit duhet të përshtaten vazhdimisht me ndryshimet teknologjike, digjitalizimin dhe nevojat e kompanive.
Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë e qasjes rajonale, veçanërisht në Rajonin e Pollogut, ku ekziston potenciali për bashkëpunim më intensiv midis universiteteve, kompanive lokale, Agjencisë së Punësimit dhe institucioneve që sigurojnë mbështetje për inovacione dhe sipërmarrësi.
“Dua që forume të tilla të mos përfundojnë vetëm me diskutime, por të rezultojnë me aktivitete konkrete. Propozimi im është të fillojmë me një iniciativë të përbashkët në Rajonin e Pollogut, përmes së cilës do të lidhim të rinjtë, universitetet, kompanitë dhe institucionet. Me qëllime të qarta dhe rezultate të matshme, mund të krijojmë model që do të zbatohet më tej edhe në rajone të tjera”, theksoi Durmishi.
Ministri theksoi se suksesi i politikave ekonomike nuk matet vetëm me numrin e personave të përfshirë në masat aktive, por mbi të gjitha me numrin e të rinjve që kanë arritur të punësohen, të përparojnë profesionalisht ose të fillojnë biznes vetanak.
Paneli i diskutimit përfshiu perspektivat e politikave ekonomike, arsimit të lartë dhe mbështetjes për inovacioneve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të INOVA-s, Universitetit “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Tetovës.
Forumi “NextGen CareerUp” ka për qëllim të nxisë bashkëpunim konkret institucional dhe të kontribuojë në krijimin e mundësive më të mira për arsim, përvojë praktike, punësim dhe zhvillim profesional të të rinjve në Maqedoninë e Veriut.

