Studentë të Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës hezitojnë të shprehin publikisht mbështetjen për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sipas burimeve anonime, ky hezitim lidhet me presionin që thuhet se ushtrohet nga disa profesorë të fakultetit. Mes emrave të përmendur janë funksionarë të lartë të BDI-së, ish-ministra e zëvendësministra, si dhe familjarë të drejtuesve të partisë. Sipas burimeve, njëri prej tyre është Arbër Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së dhe ish-ministër i Arsimit dhe Shkencës. Ai përshkruhet me sjellje arrogante dhe ndaj disa studentëve është përdorur si mjet presioni mosdhënia e nënshkrimit për ndjekjen e ligjëratave. Po ashtu, edhe profesoresha Arta Bilalli Zendeli, nënkryetare dhe zëdhënëse e BDI-së, përmendet për përfshirje në këtë “mesele” brenda fakultetit, me qëllim për të krijuar tabore mes studentëve. Ngjashëm thuhet edhe për Agim Nuhiun, ish-ministër i Punëve të Brendshme dhe ish-zëvendësministër i Drejtësisë dhe i Arsimit dhe Shkencës. Sipas të njëjtave burime, ai, duke shfrytëzuar autoritetin si profesor dhe ish-drejtues i MPB-së, intimidon studentët që të mos shprehin publikisht mbështetje për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Gjithashtu, përmendet edhe Fisnike Bekteshi-Shaqiri, profesoreshë në Fakultetin Juridik dhe ish-deputete e BDI-së gjatë viteve 2020 – 2024. Sipas burimeve, në krye të këtij “operacioni” qëndrojnë Bujar Ahmedi, nipi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe Sulejman Ahmedi, po ashtu familjar i kreut të integristëve. Këto informacione vijnë pas raportimit të zhurnal.mk për hezitimin e studentëve të USHT-së për të shprehur publikisht mbështetjen e tyre për provimin e jurisprudencës në shqip, për shkak të frikës nga pasoja të mundshme akademike.Ndërkohë, iniciatori i protestave studentore, Mevlan Ademi, tashmë ka thënë se janë zhvilluar bisedime me studentë të Universitetit Nënë Tereza dhe Universitetit të Evropës Juglindore, por jo edhe me studentët e Universitetit të Tetovës./ Aktuale.mk


