8 C
Tetovo
E premte, 30 Tetor, 2026
BallinaLajmeMaqedoniFëmijët lypsarë vërshojnë në rrugët e Tetovës

Fëmijët lypsarë vërshojnë në rrugët e Tetovës

Fenomeni i lypjes në rrugët e Tetovës vazhdon të jetë një dukuri shqetësuese, veçanërisht kur në të përfshihen fëmijët. Në rrugë, kryqëzime, pranë lokaleve dhe në hapësira të frekuentuara të qytetit, fëmijë të moshave të ndryshme u drejtohen kalimtarëve dhe drejtuesve të automjeteve për të kërkuar lëmoshë. Kjo dukuri ngre pikëpyetje serioze për sigurinë, mirëqenien dhe të ardhmen e fëmijëve, të cilët në vend që të jenë në shkollë, të luajnë dhe të kalojnë fëmijërinë në një mjedis të sigurt, gjenden në rrugë duke kërkuar lëmoshë.

Përtej pamjes së përditshme që tashmë është bërë pjesë e realitetit urban, shtrohet pyetja se cilat janë arsyet që i detyrojnë këta fëmijë të qëndrojnë në rrugë. Varfëria, kushtet e vështira sociale dhe mungesa e mbështetjes së duhur mund të jenë ndër faktorët që ndikojnë në këtë fenomen, por rastet duhet të trajtohen individualisht nga institucionet përgjegjëse. Prania e fëmijëve në shumë raste edhe me më të rritura që lypin në hapësira publike kërkon vëmendjen e institucioneve sociale, shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve, policisë dhe pushtetit lokal. Është e nevojshme të identifikohen shkaqet e këtij fenomeni dhe të vlerësohet nëse fëmijët janë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit, neglizhencës apo formave të tjera të rrezikut. Njëkohësisht, rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe familjeve, me qëllim që fëmijëve t’u sigurohen kushtet për arsimim, mbrojtje dhe zhvillim të shëndetshëm.

Fenomeni i lypjes nuk mund të trajtohet vetëm si një çështje e rendit publik apo si një pamje e zakonshme e rrugëve të qytetit. Ai është mbi të gjitha një çështje sociale dhe njerëzore, që kërkon zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme. Tetova ka nevojë për më shumë vëmendje institucionale dhe masa konkrete, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos detyrohet ta kalojë ditën në rrugë duke kërkuar lëmoshë.

Kohëve të fundit këta fëmijë janë hasur përgjatë bulevardit Vidoja Smilevski Bato, ndërsa nuk ka informacione se këta fëmijë sillen nga qytete tjera apo janë vendas.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments