8 C
Tetovo
E mërkurë, 4 Nëntor, 2026
BallinaLajmeMaqedoniDeri në fund të nëntorit duhet të bëhet pagesa e “TVSH-ja ime”...

Deri në fund të nëntorit duhet të bëhet pagesa e “TVSH-ja ime” për tremujorin e tretë

Qytetarët që kanë skanuar faturat fiskale përmes aplikacionit „TVSH-ja Ime“ (MojDDV) gjatë periudhës korrik-shtator 2026, së shpejti pritet të përfitojnë rimbursimin e një pjese të TVSH-së së paguar.

Sipas afateve të parapara, pagesa për tremujorin e tretë të vitit 2026 duhet të realizohet më së voni deri më 30 nëntor. Megjithatë, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ende nuk ka bërë të ditur datën e saktë se kur do të nisë transferimi i mjeteve në llogaritë e qytetarëve.

Shuma maksimale që një person mund të përfitojë për këtë tremujor është 2.100 denarë. Vlera përfundimtare e rimbursimit varet nga numri dhe vlera e faturave fiskale të skanuara, si dhe nga shuma e TVSH-së së llogaritur.

Sipas mekanizmit të rimbursimit, për produktet dhe shërbimet vendore qytetarëve u kthehen 20 për qind të TVSH-së së llogaritur, ndërsa për produktet dhe shërbimet e tjera përqindja e rimbursimit është 10 për qind.

Përfitimi mund të jetë edhe më i madh në nivel familjar. Nëse katër anëtarë të një familjeje përdorin aplikacionin dhe secili arrin shumën maksimale të rimbursimit, familja mund të përfitojë gjithsej deri në 8.400 denarë për një tremujor.

Para realizimit të pagesave, qytetarëve u rekomandohet të kontrollojnë të dhënat e llogarisë së tyre bankare në aplikacionin „TVSH-ja Ime“, për t’u siguruar se ato janë të sakta dhe të përditësuara. Ky kontroll është veçanërisht i rëndësishëm për personat që kanë ndërruar bankë ose kanë mbyllur llogarinë e mëparshme, pasi të dhënat e pasakta mund të shkaktojnë vonesa në transferimin e mjeteve.

Masa „TVSH-ja Ime“ vazhdon të zbatohet edhe gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara më herët, vetëm gjatë vitit 2025 qytetarëve u janë kthyer më shumë se 3,47 miliardë denarë, apo rreth 56,4 milionë euro, përmes këtij mekanizmi të rimbursimit të TVSH-së.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments