Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka nisur vizitën zyrtare në Turqi me fokus restaurimin dhe zhvillimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Mexhiti, së bashku me ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sylejmani, si dhe përfaqësues të Komunës së Çairit, në Ankara është takuar me zëvendësministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Nadir Alparslan.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ish-kryetari i Bursës, Rexhep Alltepe, dhe ish-zëvendëssekretari i këtij qyteti, urbanisti Bajram Vardar.
Sipas Mexhitit, në takim është diskutuar hartimi i një projekti gjithëpërfshirës për restaurimin e Çarshisë së Vjetër, si dhe mundësitë për sigurimin e financimit të nevojshëm për realizimin e tij.
Palët janë dakorduar për përgatitjen e një masterplani dhe formimin e një bordi këshillëdhënës, i cili do të koordinojë hapat e mëtejshëm të projektit.
Mexhiti ka theksuar se synimi është që ruajtja e trashëgimisë historike të Çarshisë të shoqërohet me zhvillimin e saj si qendër e zejtarisë, tregtisë dhe turizmit.

