Më 26 dhe 27 nëntor, në Shkup do të qëndrojë një delegacion i Komisionit të Venecias, i cili do të shqyrtojë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës, me theks të veçantë te çështja e përdorimit të gjuhëve gjatë dhënies së provimit. Vizita dyditore është konfirmuar, ndërsa raportuesit do të mbledhin informacione dhe argumente nga institucionet, ekspertët dhe studentët, përpara përgatitjes së opinionit juridik.
Delegacioni përbëhet nga Janneke Gerards nga Holanda, Mārtiņš Mits nga Letonia, Andreas Paulus nga Gjermania dhe eksperti Mattia Zeba. Ata do të zhvillojnë takime me Ministrinë e Drejtësisë, përfshirë anëtarët e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, si dhe me përfaqësues të shumicës parlamentare dhe opozitës. Takimet me dy blloqet politike do të zhvillohen ndaras, duke u mundësuar të gjitha grupeve parlamentare të paraqesin qëndrimet e tyre.

