Pas rreth gjashtë orësh qëndrimi në shtëpinë e tij në Prishtinë, ka përfunduar vizita familjare e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
Pas përfundimit të vizitës, veturat e EULEX-it janë larguar nga shtëpia e Krasniqit, i cili është shoqëruar nga zyrtarët e misionit evropian dhe ata të Gjykatës Speciale drejt Hagës.
Krasniqit i ishte lejuar vizita në Kosovë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Gjatë qëndrimit të tij, para shtëpisë ishin mbledhur edhe qytetarë që dëshironin ta takonin, por një mundësi e tillë nuk iu lejua as vëllait të tij.
Kjo ishte vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që nga arrestimi i tij nga Gjykata Speciale, para gjashtë vjetësh. Herën e parë, ai ishte lejuar të kthehej pas vdekjes së vëllait të tij.

