Në kuadër të kontrolleve për mbikëqyrjen e qarkullimit të mallrave në import, nëpunësit doganorë të Njësisë Doganore Shkup 3 kanë zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallit, përmes të cilit është tentuar të futen në vend 2.8 tonë kripë pa jod, importi i së cilës është i ndaluar.
Gjatë kontrollit është konstatuar se, ndonëse malli ishte deklaruar si kripë industriale dhe për të ishte dorëzuar deklaratë nga importuesi, një prodhues i produkteve ushqimore, se do të përdorej për qëllime industriale, në fakt bëhej fjalë për kripë pa jod. Kjo ka dëshmuar mospërputhje ndërmjet përmbajtjes reale të dërgesës dhe të dhënave të deklaruara në dokumentacionin doganor.
Legjislacioni në Maqedoninë e Veriut përcakton detyrimin për përdorimin e kripës së jodizuar në ushqim, duke pasur parasysh rreziqet që paraqet konsumimi i kripës pa jod për shëndetin e qytetarëve.
Ndaj personave të dyshuar është iniciuar procedurë përkatëse, ndërsa me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, 2.8 tonët e kripës janë asgjësuar në deponinë Drislla.
Drejtoria e Doganave vazhdon të ushtrojë kontrolle me qëllim zbatimin e dispozitave ligjore, parandalimin e parregullsive në import dhe mbrojtjen e interesit publik

