Shqiptarët kudo kremtojnë sot 28 Nëntorin, 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali, së bashku me delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, shpalli Shqipërinë shtet të lirë dhe të pavarur. Ky akt hodhi themelet e shtetit shqiptar dhe mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit.
Pavarësia ishte kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë për liri dhe vetëvendosje. Ajo u shpall në një kohë shumë të vështirë për Ballkanin. Perandoria Osmane po dobësohej gjithnjë e më shumë, ndërsa Lufta e Parë Ballkanike e kishte rritur rrezikun që trojet shqiptare të copëtoheshin mes shteteve fqinje.
Rruga drejt këtij akti u shtrua nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, me veprimtarinë e saj politike e kulturore dhe me kryengritjet e armatosura. Kryengritja e vitit 1912 pati rol të veçantë. Gjatë saj, kërkesat për autonomi, për njohjen e gjuhës shqipe dhe për administratë shqiptare u kthyen gradualisht në kërkesë për pavarësi të plotë.
Kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike në tetor 1912 dhe ushtritë e shteteve fqinje hynë në territoret shqiptare, shpallja e pavarësisë u bë një domosdoshmëri politike dhe historike.
Në këto rrethana, pas takimeve dhe konsultimeve me patriotë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë, ku u mblodh Kuvendi Kombëtar. Më 28 nëntor 1912 delegatët vendosën të shpallnin Pavarësinë dhe nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Në Vlorë u ngrit flamuri kuqezi, si simbol i shtetit të ri shqiptar.
Kuvendi i Vlorës e zgjodhi Ismail Qemalin kryetar të Qeverisë së Përkohshme. Organizimi i qeverisë përfundoi më 4 dhjetor 1912, dhe ajo mori përsipër drejtimin e shtetit të sapolindur.
Edhe 114 vjet më pas, 28 Nëntori mbetet një datë e shenjtë për të gjithë shqiptarët dhe simbol i lirisë, bashkimit kombëtar dhe identitetit shtetëror.
Gëzuar Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë!

