Prona të paluajtshme, pjesëmarrje në kompani, vetura, depozita bankare dhe sende me vlerë përbëjnë pjesën më të madhe të pasurisë së deklaruar të gjashtë liderëve politikë në Maqedoninë e Veriut.
Krahasimi i të dhënave nga fletët e mëparshme dhe ato më të reja të pasurisë, të dorëzuara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), tregon lëvizje të ndryshme në gjendjen e pasurisë së deklaruar të politikanëve.
Sipas të dhënave të analizuara, te Ali Ahmeti, Dimitar Apasiev dhe Bilall Kasami, struktura bazë e pronës së paluajtshme mbetet pothuajse e pandryshuar. Ndërkaq, te Hristijan Mickoski, Venko Filipçe dhe Maksim Dimitrievski vërehen ndryshime në kategoritë e deklaruara, vlerësimet e tyre ose mënyrën e evidentimit.
Megjithatë, dallimet mes fletëve të pasurisë nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht blerje apo shitje të pronës. Një pjesë e tyre lidhet me përfshirjen e ndryshme të pronës familjare, ndryshimet në vlerësime dhe mënyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
FILIPÇE: PRONA NË SHKUP DHE PJESËMARRJE NË KOMPANI NË BULLGARI
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë periudhës kur ishte ministër i Shëndetësisë, nga viti 2018 deri në vitin 2022, kishte deklaruar prona të paluajtshme në Shkup dhe automjete.
Në deklaratat e mëparshme të pasurisë figurojnë një shtëpi me sipërfaqe prej 464 metrash katrorë, e vlerësuar rreth 452.000 euro, një banesë prej 130 metrash katrorë, e fituar si dhuratë dhe e vlerësuar rreth 127.000 euro, si dhe një banesë prej 50 metrash katrorë në pronësi të përbashkët.
Në gusht të vitit 2020, ai kishte deklaruar edhe një automjet „Mercedes-Benz“, me vlerë prej 45.000 eurosh.
Sipas përllogaritjeve të mëparshme të kategorive të pasurisë me vlerë të përcaktuar, pasuria e deklaruar arrinte rreth 693.000 euro.
Pas zgjedhjes së tij deputet në vitin 2024, dallimet mes deklaratës së mëparshme dhe asaj të re të pasurisë u shndërruan në objekt përplasjesh politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Në prill të vitit 2025, KSHPK-ja ndërpreu procedurën e verifikimit të gjendjes së pasurisë së Filipçes.
Pas kontrolleve në Kadastër, Regjistrin Qendror, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe në disa banka, Komisioni konstatoi se deklarata e tij ishte e plotë dhe se nuk kishte dëshmi për fshehje të të dhënave mbi pasurinë.
Filipçe më herët kishte shpjeguar se dallimet vinin nga evidentimi i të njëjtave prona të paluajtshme përmes disa fletëve kadastrale.
Në të dhënat më të reja figuron edhe kompania POWER i8 Ltd, e regjistruar në Petrich të Bullgarisë në vitin 2022.
MICKOSKI: VLERËSIM MË I LARTË I SHTËPISË DHE ORË TË DORËS NË VLERË 52.000 EURO
Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kishte dorëzuar fletë të pasurisë edhe gjatë periudhës kur ishte drejtor i kompanisë shtetërore energjetike ELEM, nga viti 2016 deri në vitin 2017.
Në evidencat e atëhershme kishte deklaruar një shtëpi në Shkup, të vlerësuar rreth 350.000 euro, depozitë bankare prej 75.000 eurosh, para të gatshme prej 30.000 eurosh, hua, kredi dhe një automjet „Citroen C5“.
Në fletën e pasurisë të publikuar në vitin 2024, shtëpia prej 343 metrash katrorë në lagjen Vlae të Shkupit është vlerësuar rreth 437.000 euro.
Sipas deklaratës së tij, kjo pronë ishte fituar në vitin 2014, pra para marrjes së funksionit drejtues dhe atij të kryeministrit.
Dallimi mes dy vlerësimeve të deklaruara të shtëpisë arrin rreth 87.000 euro, ose afërsisht 25 për qind.
Në deklaratën më të re të pasurisë, Mickoski ka evidentuar edhe dy orë dore me vlerë të përgjithshme rreth 52.000 euro, si dhe piktura artistike në vlerë prej rreth 10.000 eurosh.
Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2024, orët janë blerë në vitet 2015 dhe 2016, por nuk ishin evidentuar në fletët e mëparshme të pasurisë gjatë kohës kur ishte drejtor i ELEM-it.
Në deklaratën më të re nuk figuron automjet, ndërsa është evidentuar një depozitë në valutë të huaj, pa u publikuar shuma, si dhe një kredi konsumatore prej rreth 6.600 eurosh.
DIMITRIEVSKI: PRONA, PARA TË GATSHME DHE PJESËMARRJE NË KOMPANI
Kryetari i Komunës së Kumanovës dhe lideri i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, në fletët e mëparshme të pasurisë kishte deklaruar pronën e tij personale dhe atë të anëtarëve të familjes.
Në evidenca figuronin shtëpi, hapësira afariste, toka, automjete, pjesëmarrje në kompani dhe depozita kursimi.
Të dhënat e publikuara më herët për pasurinë më të gjerë familjare tregojnë një vlerë prej rreth 334.000 eurosh.
Në të dhënat më të reja figurojnë prona të paluajtshme personale me vlerë të deklaruar prej rreth 5,6 milionë denarësh, përkatësisht 92.000 euro.
Mes tyre është një hapësirë banesore-afariste prej 105 metrash katrorë në Kumanovë, me hapësira shtesë ndihmëse, e fituar në vitin 2022.
Janë deklaruar edhe gjysma e një shtëpie në fshatin Çellopëk, e fituar në vitin 2020, si dhe toka bujqësore në rajonin e Kumanovës.
Dimitrievski ka deklaruar gjithashtu 950.000 denarë para të gatshme, automjet „Opel Astra“, stoli ari, armë me leje dhe pjesëmarrje në kompani.
Mes interesave afariste figurojnë edhe aksione në një kompani bullgare, me vlerë nominale prej 200 eurosh.
Për fëmijët e tij janë deklaruar depozita kursimi prej 23.000 eurosh.
Vlera e mëparshme prej 334.000 eurosh dhe ajo më e re prej 92.000 eurosh nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme, pasi shifra e parë përfshin pasurinë më të gjerë familjare, ndërsa e dyta vetëm pronat e paluajtshme.
KASAMI: PESA E MADHE E PASURISË SË DEKLARUAR ËSHTË FAMILJARE
Kryetari i Komunës së Tetovës dhe lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në deklaratat e mëparshme të pasurisë kishte evidentuar interesa afariste, llogari transaksionale dhe librezë kursimi.
Pjesa më e madhe e pronës së paluajtshme me vlerë të përcaktuar në fletët e tij të pasurisë figuron në emër të anëtarëve të familjes.
Në emër të prindërve ishin deklaruar shtëpi, oborr dhe tokë në Tetovë, tokë në Zhelinë, automjet „Mercedes C220“, kërkesa financiare nga bizneset dhe të ardhura nga qiraja.
Në emër të bashkëshortes ishin deklaruar tokë në Bogovinë dhe stoli ari.
Përllogaritjet e mëparshme e vlerësojnë pasurinë e përgjithshme të deklaruar personale dhe familjare në rreth 352.000 euro.
Në evidencat e krahasuara, struktura bazë e pronës familjare të paluajtshme mbetet e ngjashme, ndërsa shumat e disa llogarive bankare personale nuk janë publikuar.
APASIEV: E NJËJTA BANESË PREJ 60 METRASH KATRORË
Kryetari i Levicës dhe deputeti, Dimitar Apasiev, në fletën e pasurisë nga mandati i tij i parë parlamentar në vitin 2020 kishte deklaruar një banesë në Shkup, me sipërfaqe prej 60 metrash katrorë.
Banesën e kishte fituar në vitin 2017 përmes kontratës së shitblerjes, para zgjedhjes së tij deputet.
Në deklaratën e pasurisë figurojnë edhe orendi shtëpiake, detyrime kreditore, kartelë krediti dhe overdraft në llogari bankare.
Në emër të bashkëshortes ishin deklaruar automjet „Alfa Romeo“, depozita në denarë dhe valutë të huaj, si dhe kredi.
Sipas përllogaritjeve të mëparshme, pasuria e deklaruar arrinte rreth 146.000 euro.
Në të dhënat më të reja figuron e njëjta banesë në Shkup, pa prona të tjera të paluajtshme të evidentuara. Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me depozitat bankare dhe detyrimet kreditore.
AHMETI: SHTËPI NË ZAJAS DHE TOKË NË SHQIPËRI
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, për më shumë se një dekadë ka deklaruar strukturë të ngjashme të pronës së paluajtshme.
Në fletët e tij të pasurisë figuron një shtëpi prej 254 metrash katrorë në fshatin Zajas të Kërçovës, e vlerësuar në 100.000 dollarë.
Ahmeti ka deklaruar edhe tokë bujqësore prej 700 metrash katrorë në Shqipëri, të vlerësuar në 30.000 dollarë.
Në të dhënat e dorëzuara nga evidencat më të reja nuk figuron pronë e paluajtshme në Shkup.
Në emër të bashkëshortes është deklaruar automjet „Volkswagen Polo“, me vlerë prej 7.000 eurosh, ndërsa në llogarinë transaksionale figuron një shumë prej rreth 758.000 denarësh.
Në fletët e krahasuara të pasurisë nuk figurojnë prona të reja të paluajtshme, e as ndryshim i automjetit të deklaruar.
MEXHITI: SHTËPI FAMILJARE PREJ 150.000 EUROSH, PA PASURI TË DEKLARUAR JASHTË VENDIT
Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, në fletët e pasurisë ka deklaruar pronë personale dhe familjare në Maqedoninë e Veriut.
Sipas bazës së personave të ekspozuar politikisht (PEP) të Qendrës për Gazetari Hulumtuese SKUP Maqedoni, vlera e përgjithshme e pasurisë së deklaruar në shtator të vitit 2024 arrinte 171.691 euro.
Pjesa më e madhe e kësaj vlere, përkatësisht rreth 87 për qind, i përket një shtëpie në pronësi të prindërve të tij, e vlerësuar në 150.000 euro.
Në fletët e analizuara të pasurisë së Mexhitit nuk janë evidentuar prona të paluajtshme, llogari bankare apo pjesëmarrje në kompani në shtete të tjera.
Ndryshe nga Filipçe dhe Dimitrievski, të cilët kanë deklaruar interesa afariste në Bullgari, dhe Ahmeti, i cili ka deklaruar tokë në Shqipëri, pasuria e deklaruar e Mexhitit është në Maqedoninë e Veriut.
REGJISTRI I RI NDRYSHON MËNYRËN E KRAHASIMIT
KSHPK-ja më 1 janar 2024 prezantoi sistemin elektronik për dorëzimin e deklaratave të gjendjes së pasurisë dhe interesave.
Nga 3 qershori i të njëjtit vit, të dhënat nga sistemi i ri, me përjashtim të atyre që mbrohen me ligj, u bënë të qasshme për publikun.
Funksionarët kanë obligim ligjor të dorëzojnë deklaratë të pasurisë gjatë zgjedhjes ose emërimit, gjatë përfundimit të funksionit dhe të raportojnë ndryshimet në pasuri dhe interesa, në përputhje me dispozitat ligjore.
Te politikanët që në periudha të caktuara nuk kanë ushtruar funksione publike për të cilat ekziston obligimi i deklarimit të pasurisë, nuk ka evidencë të vazhdueshme për gjendjen e tyre pasurore.
Një sfidë shtesë për krahasimin janë llogaritë bankare pa shuma të publikuara, pjesëmarrjet në kompani pa vlerë të përcaktuar të tregut dhe pronat e paluajtshme të vlerësuara në vite të ndryshme.
Fletët e pasurisë mundësojnë një pasqyrë të pronësisë dhe interesave të deklaruara të funksionarëve, por nuk paraqesin një përllogaritje të plotë të pasurisë së tyre neto.
Personat e ekspozuar politikisht shpesh gjejnë mënyra për të fshehur pronësinë reale përmes kompanive offshore dhe pronarëve të ndërmjetëm./Inbox7


