Para një muaji, Enver Pajaziti shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij si kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Bërvenicës në zgjedhjet lokale të vitit 2025. Në njoftimin e tij publik, ai kishte theksuar se ky vendim ishte rezultat i konsultimeve me qytetarët, miqtë dhe diasporën, duke theksuar se kandidimi i tij vinte si reagim ndaj keqmenaxhimeve dhe lëshimeve të shumta të udhëheqësisë aktuale komunale.
Megjithatë, sipas informacioneve të fundit, Pajaziti nuk ka dorëzuar në KSHZ nënshkrimet e nevojshme për ta zyrtarizuar kandidaturën. Kjo ka hapur një sërë pikëpyetjesh në opinion: A është tërhequr ai nga gara për arsye kombëtare, që në fushë të mbeten vetëm kandidatë shqiptarë dhe maqedonas? Apo Pajaziti ka arritur ndonjë marrëveshje politike me ndonjë subjekt, ku pritet të paraqitet në listat e tyre për zgjedhje?
Derisa vetë Enver Pajaziti nuk ka dalë me ndonjë sqarim publik, qytetarët e Bërvenicës mbeten në pritje të një përgjigjeje të qartë për arsyet e mosdepozitimit të nënshkrimeve dhe fatin e kandidaturës së tij të paralajmëruar.