Aleanca për Shqiptarët sot është e ndarë në tre pjesë, por fajtorët e kësaj përçarjeje kanë emër dhe mbiemër: Ziadin Sela dhe Arben Taravari.
Pikërisht ata, me kthesat e tyre të befasishme dhe vendimet e njëanshme, e copëtuan unitetin e Aleancës dhe e devijuan nga rruga për të cilën u krijua, duke e çuar subjektin drejt udhëve të kundërta me vullnetin e bazës.
Përçarja nisi që në vitin 2024, kur Sela dhe Taravari ndanë rrugët, por u thellua plotësisht në momentin kur Taravari braktisi koalicionin VLEN për t’u rikthyer në përqafimin e BDI-së, akt që jo vetëm i tradhtoi idealet e Aleancës, por i goditi në themel besimin e anëtarësisë.
Pas zgjedhjeve të tetorit, fiaskoja e tyre politike u bë e pamohueshme: humbje në komuna, rënie të strukturave dhe mungesë totale orientimi.
Ndërkohë, një grup mbeti i palëkundur.
Grupi i Arben Fetait, i vetmi që nuk u përkul dhe nuk u shit, qëndroi i pastër ndaj pazareve politike dhe ruajti frymën autentike të Aleancës, frymën kundër BDI-së, frymën e ndryshimit.
Prandaj strukturat, themeluesit dhe shumica absolute e funksionarëve zgjodhën të mbeten me këtë grup, sepse vetëm ai mbajti të gjallë idealin fillestar dhe nuk e braktisi kauzën.
Sot, ironikisht, shumë nga figurat e Selës dhe Taravarit janë vetë në kërkim të unifikimit.
Sela po përballet me krizën më të madhe të karrierës së tij politike, pas largimit të bashkëpunëtorit të tij më të afërt, Krenar Llogës, një sinjal i qartë i fundosjes së projektit të tij.
Edhe tek Taravari situata është e ngjashme: shumica e mbështetësve të mbetur, përfshirë dy nga tre deputetë, kërkojnë rikthimin në rrugën e bashkimit, duke pranuar në heshtje se rruga që ndoqën ishte e gabuar.
Në anën tjetër, grupi i Fetait është sot i gatshëm për bashkim, sinqerisht, pa mëdyshje, por pa rikthyer në krye ata që e çuan Aleancën drejt dështimit dhe drejt BDI-së. Besimi politik është i shenjtë dhe ata që e thyen nuk mund të jenë arkitektët e së ardhmes.
Ata që e ruajtën Aleancën nuk kërkuan vulë të re, subjekt të ri apo rrugë personale. Nuk u nda asnjëri prej tyre.
Dhe kjo frymë ka qenë dhe mbetet antipodi i BDI-së, vazhdimësi e natyrshme e vizionit politik të Arben Xhaferit.
Prandaj bashkimi jo vetëm që është i mundur, është i domosdoshëm.
Por bashkimi duhet të ndodhë rreth atyre që qëndruan drejt, që nuk u dorëzuan dhe që nuk e tradhtuan kauzën.
Rreth atyre që e mbajtën gjallë Aleancën, edhe kur të tjerët e lanë në mes të rrugës.

