Ndonëse zgjedhjet lokale pritet të zyrtarizohen më javën e parë ose të dytë të muajit gusht, partitë politike kanë filluar fushatën. Tetova, një nga bastionet më të rëndësishme politike në Maqedoninë e Veriut, po shndërrohet sërish në një fushëbetejë të ashpër elektorale. Me afrimin e zgjedhjeve lokale, përplasjet politike dhe kalkulimet strategjike janë intensifikuar, ndërsa figura kyçe si Bilall Kasami dhe Bajram Rexhepi po pozicionohen përballë njëri-tjetrit në garën për kryetar komune. Koalicioni VLEN pritet të konfirmojë zyrtarisht gjatë këtyre ditëve kandidaturën e Bilall Kasamit për një mandat të dytë në krye të Komunës së Tetovës. Kasami, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes BESA dhe aktualisht drejton komunën, gëzon mbështetje të fortë nga strukturat e koalicionit dhe shihet si favorit përballë kundërshtarëve të fragmentuar. Në anën tjetër, Fronti Evropian ka bërë një lëvizje të papritur duke zyrtarizuar Bajram Rexhepin si kandidat për kryetar komune. Ky emërim vjen në një kohë kur spektri opozitar shqiptar në Tetovë paraqitet i përçarë, me mungesë të një qasjeje të bashkuar që do mund të sfidonte me seriozitet qeverisjen aktuale. Bilall Kasami, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, është aktivizuar dukshëm gjatë kësaj periudhe parazgjedhore, duke zhvilluar një fushatë intensive në terren. Ai ka intensifikuar takimet me qytetarët, ka inspektuar projekte në zhvillim dhe ka promovuar rezultate konkrete të mandatit të tij, gjë që i ka dhënë një shtysë të fortë në garën elektorale. Kjo prani e vazhdueshme nëpër lagje dhe fshatra, e shoqëruar me një qasje të drejtpërdrejtë ndaj nevojave të komunitetit, ka rritur perceptimin e tij si një lider aktiv dhe i përkushtuar, duke i forcuar pozitat përballë një opozite që ende nuk ka arritur të krijojë një front të qëndrueshëm. Fragmentimi i opozitës dhe mungesa e një kandidat më të përgatitur po i japin avantazh Kasamit, i cili gjatë mandatit të tij ka ndërtuar një profil të qartë menaxhimi dhe është përpjekur të paraqitet si një figurë moderne dhe e reformuar në skenën politike lokale. Megjithatë, gara në Tetovë pritet të jetë dinamike, sytë e opinionit publik janë tashmë të drejtuar nga kjo komunë strategjike, ku fushata që po fillon premton debate të forta.