Izet Mexhiti
Urtësia e moshës dhe eksperienca dikton që në politikë, ashtu si dhe në jetë, ti përzgjedhësh betejat me kujdes që të mos humbish kohë dhe energji në imtësira ditore dhe të përqendrohesh në beteja madhore. Së kendejmi, jo secili qëndrim i rivalit politik meriton reagim dhe jo secila deklaratë kërkon polemikë.
Me keqardhje, duhet thënë se ca deklarata të kryetarit të BDI-së të dhëna në ditët e fundit duken si periferike, pothuajse irelevante, politikanteske dhe cinike. Por, sa do që kalojnë pa reagime në opinion, dashakeqja që fshehin ato deklarata meriton reagime imediate, të qarta dhe këmbëngulëse.
Zotëri Ahmeti dhe partia e tij së fundi tentojnë të sulmojnë jo vetëm partitë opozitare, por edhe të atakojnë institucionin e Kryeministrit të Kosoves dhe të vet Shtetit të Kosovës duke shpërndarë insinuata, fabrikime dhe inputime që demtojnë reputacionin kombëtar në pergjithësi dhe atë të Kosovës në veçanti. Në këtë aspekt, posaçërisht duhet theksuar inputimet e bëra nga partia e z. Ahmetit e cila inputon gjëra të paqena dhe akuzon se kinse pjesëmarrja e Vetëvendosjes në skenën politike apo zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut krijon pretekst për veprime të ngjajshme nga Serbia apo Bullgaria.
Në lidhje me këtë, konsideroj të duhur të përsëris deklaratën time të 27 Dhjetorit 2023 se “Partitë politike të regjistruara në vende të tjera nuk mund të veprojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë”, gjë që mendoj se sqaron dhe përmbyllë tërë debatin që z. Ahmeti dhe BDI me këmbëngulje insistojnë ta mbajnë aktual. Por, sikur të ishte vetëm nga interesi partiak, kjo këmbëngulje ndoshta edhe do falej.
Por është e pakuptueshme dhe skandaloze që z. Ahmeti dhe BDI akuzojnë për gjëra të paqena, si që është pjesëmarrja e Vetëvendosjes në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që në Maqedoni të Veriut për vite rresht egziston dhe vepron e ashtuquajtura ?????? ???????? ??????? ? ?????????? (Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni) e cila përshkruan veten si e themeluar “sipas modelit të Srpska Narodna Stranka e cila eshte e formuar, me seli dhe vepron në Serbi (e drejtuar nga Aleksandar Vuçiç) me të cilën ndanë lidhje të përbashkëta dhe bazamentet e orientimit politik”. Partia në fjalë, pra simotër e partisë SNS në Serbi, është e regjistruar legalisht në Maqedoninë e Veriut në vitin 2006, drejtohet nga Dragisha Miletiç dhe kishte një deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në mandatin 2011 deri 2014.
Si ndodhe që z. Ahmeti dhe BDI akuzojnë dhe njollosin Vetëvendosjen dhe opozitën Shqiptare për gjëra inekzistente dhe njëkohësisht heshtin për po të njejtën dukuri që praktiohet për dy dekada, por nga partitë serbe në Serbi dhe Maqedoni të Veriut? Është vështirë të besohet se z. Ahmeti dhe BDI nuk kanë informata për ekzistimin e partisë SNS në Maqedoni të Veriut. Prandaj, shtrohet pyetja dhe brengosja: pse z. Ali Ahmetit i pengon mundësia e aktivitetit politik të një partie Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por nuk i pengon puna, veprimi dhe përfaqësimi legjislativ i partive serbe nga Serbia në Maqedoninë e Veriut?
Në hovin e pakontrolluar të mllefit kundër institucioneve dhe përfaqësuesve të Kosoves, zotëri Ahmeti shkon aq larg sa që shpif dhe shtrembëron faktet, ashtu si që i konvenon atij personalisht dhe publikut jo aq të informuar të Shqipërisë. Në intervistën e tij për Top Channel, z. Ahmeti deklaron se “Edi Rama asnjëherë nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet në Maqedonisë e Veriut. Albin Kurti ka ndërhyrë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.”
Për dallim nga z. Ahmeti dhe BDI, personalisht dhe në emër të partisë dhe lëvizjes që drejtoj, asnjëherë nuk kam konsideruar, nuk konsideroj tani dhe nuk do konsideroj asnjëherë veprimin e cilit do Kryeministër apo President të Shqiperisë apo Kosovës si “ndërhyrje” në zgjedhje apo çështje që ndërlidhen me Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, për hatër të informimit të drejtë, duhet rikujtuar z. Ahmetin se ishte Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut e cila në vitin 2017 akuzoi Shqipërinë, Kryeministrin Edi Rama dhe MPJ Ditmir Bushati për “përzierje në çështjet e brendshme të Maqedonisë së Veriut”. Njëkohësisht, duhet rikujtuar z. Ahmetin dhe BDI për deklaratën e presidentit Stevo Pendarovski i cili me 7 Shtator deklaroi se “z. Kurti gjatë vizitës në Tetovë dhe Çair nuk shprehi as një të vetmen fjalë të keqe kundër Maqedonisë se Veriut apo popullit Maqedonas. Ai nuk keqpërdori mikëpritjen e vendit tonë, në asnjë moment”.
Ne politikë, posaçerisht në periudhat parazgjedhore, tolerohen të gjitha skamcat, të gjitha mjetet dhe metodat për të avancuar intersin partiak. Por, për dallim nga z. Ahmeti dhe BDI, ne nuk konsiderojmë se kjo perfshinë edhe retorikën dashakeqe, tinzare, përçmuese, sabotuese, ndërsyese, provokative ndaj Kosovës apo tentativat për të ngacmuar sentimente në mes kryeqendrave Shqiptare në rajon. Këtë e konsiderojmë të ulët, të padenjë dhe sidomos destruktive ndaj Kosovës në këto procese kritike për shtetin e ri Shqiptar. Pse pra z. Ahmeti insiston neë këtë qasje kaq negative? Pse nuk përqëndrohet në luftimin ndaj nesh si opozitë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që e konsiderojmë si te panevojshme, por megjithate normale në suaza të betejave politike.
Abaz, nëse ke të na thuash diçka, mua personalisht apo Lëvizjes partiakisht, merr guximin dhe më sulmo mua, na sulmo neve, por mos e bën këtë në kurriz të Kosovës dhe Shqipërise. Abaz, për dekada rresht, askush në Maqedoninë e Veriut nuk ka konsideruar Lëvizjen për Kosovën si “trup i huaj që përzihet në Maqedoni” por si pjesë e historive, vuajtjeve të përbashkëta që kishim dhe kemi si Shqiptar. Abaz, përveç teje dhe BDI, të gjithë ne kuptuam qartë qëndrimet e miqve dhe partnerëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Banjskë kercenohej stabiliteti rajonit, jo vetem i Kosovës, prandaj edhe rezistenca e Kosovës ishte në mbrojtje të vendit dhe të tërë rajonit. Abaz, në fund, mos valle ke harruar se edhe ti dikur zbrite nga LPK dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Maqedoni, si shtetas i Maqedonisë së Veriut. A mos vallë është kjo histori që të shqetëson dhe iriton kaq shumë kur përmendet Kosova dhe Kryeministri Kurti?
Ashtu siç Albin Kurti nuk dëshironte të mposhtë rivalët por të fiton demokracia dhe gjenerata e re, ashtu dhe ne – opozita e bashkuar – nuk nisemi nga dëshira për të mposhtur BDI apo këdo tjetër, por të fiton risia, shpresa dhe vullneti i lirë demokratik i Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Për dallim nga ti, ne nuk përvetësojmë patriotizmin, nuk drejtohemi nga epshi për të shkatërruar rivalët por diktohemi nga dëshira e popullit për ndryshim, per evoluim dhe mirëqenie të gjithëmbarshme – e jo të një grushti oligarkësh parapolitik siç është BDI sot. Prandaj, Abaz, ashtu siç Albini nuk e kishte personale me rivalët, ashtu dhe unë dhe opozita nuk e kemi personale kundër teje, por drejtohemi nga fryma parimore dhe kombëtare në favor të Shqiptarëve.
Historia e Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Abaz, nuk ka filluar me ty dhe nuk do përfundon me mua dhe Lëvizjen. Ne jemi vetëm ata që nga Maji do të bartim tutje flakadanin e lavdisë dhe sfidën e kohës, për të dorëzuar në duart e gjeneratave që do vijojnë – për shekuj dhe shekuj me radhë.