Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, sot e ka shpërdarë adresimin e tij që e pati ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ku u votua lista prej 110 kandidatësh që do të garojnë për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Ai në fjalimin e tij pati shumë kritika në adresë të Qeverisë Kurti.

Abdixhiku tha se qëllimi i kësaj qeverie është propaganda.

“Në këtë Republikë të projeksioneve të tyre, propaganda është qëllim në vete, gjersa përçarja, ndarja e polarizimi jonë i madh, janë përfundim krejt i zakonshëm, të cilin përfundim, nxitësit e urrejtjes, e shijojnë me plot zell. S’do t’i kuptojë asnjëherë se çfarë dëliri kjo gjendje ju sjellë, por e kam të qartë qëllimin e tyre krejt të thjeshtë. Sa më shumë propagandë, sa më shumë shpifje, sa më shumë ndarje, sa më shumë urrejtje, aq më të dobishme drejt prodhimit të polarizimit shoqëror, që nuk sjellë rezultate por as nuk sjellë shpresë. Prandaj sot, vendi ynë, është bërë vend i zymtë. Prandaj sot ndarja jonë kombëtare, ka arritur nivele të paimagjinueshme historike. E sepse jemi të ndarë kaq shumë, kemi ngecur në vendnumërim, ku hijet e së shkuarës na errësojnë të ardhmen që nuk po e bëjmë dot. Një shoqëri kaq e copëtuar e në kaq urrejtje duhet fillimisht të shërojë veten”, ka thënë ai.