Ulet numri i fluturimeve në aeroportin e Shkupit dhe në Ohër. Për tremujorin e fundit të këtij viti parashikohet të reduktohen fluturimet në destinacionin Athinë – Shkup dhe anasjelltas. Kompania ajrore greke “Ejxhan Erlajns” veç më ka informuar menaxhmentin e kompanisë TAV në Shkup se këto fluturime parashikon t’i ulë prej 6 në katër fluturime në javë. Fluturime në relacion Shkup – Sarajevë të kësaj kompanie gjatë muajit nëntor dhe dhjetor do të ketë tri herë në javë, ndërsa pas vitit të ri, ato do të zhvillohen vetëm dy herë në javë. Profesorët universitarë dhe njohësit e mirë të industrisë së turizmit u bëjnë thirrje autoriteteve të përpilojnë sa më parë një strategji afatgjate për zhvillimin e turizmit dhe mirëmbajtjen e linjave ajrore në vazhdimësi dhe hapjen e linjave të reja ajrore.
“Nuk do të doja ta përdorja këtë fjalë, mirëpo vendi ynë sikur bëhet destinacion ekskursionesh, destiancion vetëm për shëtitje njëditore dhe aq, pasi që Shqipëria me arsye po e merr fokusin për vizita më të gjata. Aeroporti i Tiranës po e merr fokusin e gjerë, shohim statistikat që na vijnë dhe po shpresoj se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ministria e sapoformuar për Kulturë dhe Turizëm do të përpilojnë strategji konkurrente në industrinë turistike, e cila do të jetë e fokusuar në hapjen e linjave të reja ajrore.”, – deklaroi profesori universitar, Ljupço Janevski.
Disa ditë më herët edhe kompania ajrore me buxhet të ulët “WizzAir” paralajmëroi që në tremujorin e fundit të këtij viti do të zvogëlojë numrin e përgjithshëm të fluturimeve në ish-vendet Jugosllave, me çka parashihet të shkurtohen rreth 330 mijë ulëse nga linjat ajrore të kësaj kompanie. Më shumë shkurtime të fluturimeve vërehen në aeroportin e Shkupit për 22.6 % ose 125.726 ulëse më pak se vitin e kaluar dhe në Ohër për 32.6 % ose 17.858 ulëse më pak.