Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, po qëndron në Uashington, SHBA, ku do të marrë pjesë në Samitin Parlamentar të NATO-s, në kuadër të Samitit të Aleancës, me rastin e 75- vjetorit të themelimit të saj, njoftojnë nga shtypi i Kuvendit.
“Samiti organizohet nga Asambleja Parlamentare e Aleancës dhe do të mbahet nesër (9 korrik), ndërsa përveç Kryetarit të Kuvendit të RMV-së, janë të ftuar edhe kryetarët e parlamenteve dhe shefat e delegacioneve në AP të NATO-s nga të gjitha vendet e tjera anëtare.
Gjatë evenimentit, Kryetari Gashi nesër do të ketë fjalim. Në këtë Samit merr pjesë edhe deputeti Mile Taleski si ushtrues detyre kryetar i Delegacionit të Kuvendit të RMV-së në AP të NATO-s.
Gjatë vizitës në Uashington janë planifikuar disa takime bilaterale të Kryetarit Gashi me burrështetas të huaj dhe përfaqësues të lartë amerikanë. Delegacioni i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në AP të NATO-s është organizator i Samitit Parlamentar, ku do të mblidhen liderët e parlamenteve nga 32 vende anëtare, si dhe nga Ukraina. Është paralajmëruar pjesëmarrja e 23 kryetarëve të parlamenteve”, thuhet në njoftim.
Ky takim i nivelit të lartë, shtojnë nga atje, duhet të tregojë rëndësinë e dimensionit parlamentar të Aleancës dhe t’i nxjerrë në pah qëndrimet e parlamenteve aleate mbi prioritetet kryesore./Telegrafi/