Nuk u befasova fare, u kënaqa shumë – tha ambasadorja amerikane Angela Ageler në një intervistë për “Sloboden Peçat” e pyetur nëse është habitur kur ka parë emrin e ish-zëvendëskryeministrit të parë, ish-ministrit dhe zyrtarit të lartë të BDI-së, Artan Grubi, në “listën e zezë të SHBA”, transmeton Portalb.mk.
“Isha shumë e kënaqur edhe që Uashingtoni ishte në gjendje të bënte njoftimin në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, 9 Dhjetor,” thotë Aggeler.
Sipas ambasadores, ndoshta askush në vend, as qytetarët dhe as organet e drejtësisë nuk janë habitur kur kanë parë emrin e Grubit në “listën e zezë”. Të gjithë në këtë vend, thotë ajo, e dinë se kush është i korruptuar.
“Edhe ju edhe unë e dimë, sinqerisht, se kjo është diçka për të cilën kemi punuar ngushtë me Uashingtonin. Kanë kaluar shumë e shumë muaj. Pra, nuk u befasova aspak. Isha shumë e kënaqur”, shtoi ambasadorja amerikane në një deklaratë për “Sloboden Peçat”.
E pyetur se pse shumica e zyrtarëve të lartë si Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski, Koço Angjushev dhe tani Artan Grubi e gjetën veten në “listën e zezë” pas largimit nga detyra dhe jo derisa ishin zyrtarë aktualë, Ageler thotë se nuk është vendim, por një proces mjaft i gjatë mbi të cilin po punon Uashingtoni.
“Uashingtoni punon me ambasadat, ambasadën tonë këtu, për shembull, e cila po ndihmon në përpilimin e një pakete informacioni për individët që ne besojmë se lokalisht kanë marrë pjesë në korrupsion kriminal. Është një proces mjaft i gjatë. Dhe dikush, ambasada, ose çdo ambasadë në botë, mund të krijojë një paketë për një individ, dhe kjo mund të zgjasë nga disa muaj deri në disa vjet, në varësi të kompleksitetit të rastit. Pra, për ne nuk është asnjëherë çështje politike. Më pyetët nëse kjo ishte përgjigje ndaj aktiviteteve të ndryshme politike gjatë javës apo muajve të fundit. Dhe përgjigja është jo. Procesi ynë nuk funksionon kështu”, thotë ambasadorja.
Synimi i Shteteve të Bashkuara, thotë ajo, është të mos përfshihen në politikë. Nëse çështja Grubit do të kishte përfunduar gjatë kohës që ai ishte në detyrë, Aggeler thotë se do të ishte shpallur në atë moment, por nuk ishte.
Në këtë kuptim, ajo thotë se për Shtetet e Bashkuara, zyrtarët nuk kanë imunitet gjatë kohës që janë në detyrë.
Ndryshe, mëngjesin e sotëm policia ka bastisur disa shtëpi për shkak të dyshimeve për krim të organizuar në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Policia ka bastisur shtëpitë e ish zv/kryeministrit Artan Grubi dhe shtëpinë e ish drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami. Artan Grubi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, siç ka njoftuar qysh mbrëmë vet ai, ndodhet për vizitë familjare në Kosovë. Në shtëpi nuk është gjetur as i dyshuari Përparim Bajrami.
Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Kujtojmë se Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, vendin e vlerësoi pa asnjë përparim në fushën e korrupsionit.