Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe krerët e dy fraksioneve të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe Arben Taravari, do të zhvillojnë sonte një takim kyç në Tetovë, ku pritet të ndajnë “hartën elektorale” të komunave për zgjedhjet lokale të tetorit, mëson INA.
Në këtë tryezë diskutimi pritet të përcaktohet se cilës parti do t’i takojë kandidatura në secilën komunë, si pjesë e një marrëveshjeje për të dalë me kandidatë të përbashkët nën ombrellën e të ashtuquajturit Fronti Shqiptar.
Burime jozyrtare thonë se BDI do të ketë kandidaturat në Tetovë, Çair dhe Kërçovë, krahu i Taravarit në Gostivar, Vrapçisht dhe Saraj, ndërsa krahu i Selës deri tani me Strugën dhe Haraçinën.
Megjithatë, marrëveshja nuk është e mbyllur. Në tryezë do të hidhen edhe kombinatorika të tjera për ndarjen e komunave të mbetura.
Komunat ku do garojnë dhe fitojnë partitë shqiptare janë: Tetova, Gostivari, Çairi, Struga, Kërçova, Saraji, Haraçina, Bogovina, Tearca, Vrapçishti, Likova, Haraçina, Zhelina, Bërvenica, Studeniçani, Dibra, Plasnica. Por shqiptarët do jenë vendimtar edhe në Qytetin e Shkupit si dhe komuna tjera si Kumanova, Çashkë, Krushevë, Butel, Gazi Babë, Petrovec, Çuçer Sandevë, Veles, Ohër, etj.