Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtoreshës ekonomike të Klinikës së Toksikologjisë, Besija Iljazi, për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353 paragrafi 1 i Kodit Penal. Prokuroria tha se e pandehura në cilësinë e drejtoreshës organizative të Toksikologjisë ka tejkaluar kompetencat e saj zyrtare me qëllim që të mundësojë përfitim pasuror të kundërligjshëm për 17 persona, transmeton Portalb.mk.

“E akuzuara në cilësinë e drejtoreshës organizative të një institucioni shëndetësor publik – Klinikë Universitare për Toksikologji, ka tejkaluar kompetencat e saj zyrtare me qëllim që t’u mundësojë përfitim pasuror të kundërligjshëm 17 personave. Duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit, Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, ajo në maj të këtij viti ka lidhur kontrata pune me personat për punësimin e tyre në Klinikë, pas së cilës ka nxjerrë në mënyrë retroaktive urdhërpagesat me të cilat u ka paguar atyre kompensim mujor për punësimin e tyre të mëparshëm të supozuar. Ajo ka shtuar në listë persona me të cilët nuk është lidhur fare kontratë pune dhe të cilëve u është paguar edhe kompensimi për gjoja punët e kryera. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Klinikës në shumë prej 659.781 denarë, ndërsa të punësuarve u është siguruar përfitim pasuror i kundërligjshëm”, thonë nga Prokuroria.

Në lidhje me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme me 12 korrik ka bërë kallëzim penal ndaj ish ushtrueses së detyrës drejtoreshë organizative e Klinikës Universitare për Toksikologji.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nga ana tjetër ka hapur lëndë për kontroll të të dhënave për gjendjen pronësore dhe interesave të Besija Iljazi.

Besija Ilazi së bashku me shumë drejtorë organizativ të tjerë u shkarkuan nga pozita e drejtorëve organizativ, pasi Qeveria e RMV-së e largoi këtë funksion.