Gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare në vend, Tirana shpalli “Qytetar nderi” kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë fjalimit kryesor, duke ju referuar pluralizmit politik të partive shqiptare në Maqedoni tha se po shpërfillet rreziku i dobësimit politik të shqiptarëve. Megjithatë Rama tha se nuk dëshiron që një shprehje e plotë e opinionit të tij për këtë çështje, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të Maqedonisë.
“Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti dhe as nuk do të kishin dot një pluralizëm demokratik aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare sa që t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet duke e nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Megjithatë, partia e Ahmetit kishte qenë mjaft kritike ndaj mbështetjes që kryeministri i Kosovës Albin Kurti i kishte dhënë opozitës shqiptare në vend, duke e cilësuar atë si përzierje.
“Ndryshe nuk mund ta përkufizoni përveç si ndërhyrje, përderi sa një kryeministër, qoftë edhe me pretekstin si kryetar i një subjekti politik, në çfarëdo aspekti, edhe perceptohet si përzierje. Nuk mendoj se i bën mirë edhe vetë Kosovës por edhe vetë subjektit që e udhëheq”, kishte thënë Talat Xhaferi, kryeministër.
Analisti politik Qenan Aliu vlerëson se në të dy rastet ka qartazi anim të krerëve të shteteve shqiptare për një tabor politik në vend, megjithatë ai vlerëson se kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme por që ndodh edhe në shtete të tjera. Aliu thotë se sigurisht, ngjarje të tilla në periudhë parazgjedhore janë të qëllimshme.
“Kjo nuk është rastësi, kjo është e planifikuar për të anuar. Dhe është krejtësisht e deplasuar të kritikohet kryeministri Kurti për një anim që bëri edhe ai, në fakt. Megjithatë unë nuk shoh diçka tragjike këtu. Anime të tilla kanë bërë edhe njerëz të shteteve të fuqishme. Në botën perëndimore kjo llogaritet kulturë. Shtrohet pyetja; përse z. Ahmetit nuk i është ndarë titulli i qytetarit të nderit në një agjendë tjetër nga Bashkia e Tiranës dhe e Prizrenit por ju shpërnda kur janë zgjedhjet. Pra, është e drejtë e bashkive të shpërndajnë këtë titull dhe mund të jetë ajo me meritë. Është krejtësisht çështje e tyre por animi është evident. Andaj deplasuese është stigmatizimi i kryeministrit Kurti për një anim pasiv që bëri”, tha Qenan Aliu, analist politik.
Vetëm pak javë më parë, Ahmeti u shpall qytetar nderi i Komunës së Prizrenit. Kurse në prag të zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, Ahmeti ishte dekoruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaqi.