Partitë nuk duhet t’ia zgjedhin njëra-tjetrës propozimet dhe kandidatët. Ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! e kemi të qartë: Albulena Haxhiu është emri ynë për Kryetaren e Kuvendit të Republikës.
Por le të ndalem shkurt për të treguar edhe një lidhje të thellë personale dhe historike që kam me Albulenën. Gjyshi i saj, Ahmet Haxhiu, ishte një nga figurat qendrore të rezistencës kombëtare – një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Bacës Adem, Adem Demaçit. Në vitin 1991, ai transportonte armë për në Drenicë, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U arrestua nga Serbia në vitin 1993 dhe, pas torturave të rënda, vdiq më 6 korrik 1994.
Sot, mbesa e tij, Albulena, është trashëgimtare e kësaj rruge. Ajo ishte deputetja më e votuar e VETËVENDOSJE!-s në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2021. E në vitin 2025, ajo ka marrë mbi 125 mijë vota – më shumë se çdo deputet tjetër në këtë legjislaturë të nëntë.
Në seancën konstituive, Albulena ka siguruar 57 vota për Kryetare të Kuvendit: 48 nga deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe 9 nga deputetët e komuniteteve jo-shumicë – përfshirë dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptianë, një serb, një rom dhe një ashkali.
Pra, Albulena jo vetëm që përfaqëson fuqishëm vullnetin qytetar shqiptar, por ka edhe mbështetjen e komuniteteve tjera në Kosovë.