Aleanca për Shqiptarët, e njohur fillimisht si Lëvizja për Reforma -Partia Demokratike Shqiptare (LR-PDSH), lindi si një nevojë e brendshme për reformim të thellë të skenës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ky subjekt politik mori jetë si reagim ndaj stagnimit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) të atëhershme, e cila, nën drejtimin e Menduh Thaçit, kishte humbur besueshmërinë publike për shkak të mungesës së kapaciteteve koalicionuese dhe bashkëpunuese.
Menduh Thaçi refuzoi bashkëpunimin me subjektin opozitar RDK të Rufi Osmanit, por edhe me opozitën maqedonase të atëhershme, LSDM-në e Zoran Zaevit, megjithëse ky i fundit i kishte kërkuar bashkëpunim. Situata u rëndua kur, përmes të ashtuquajturave “bomba” të Zaevit (përgjimet e paligjshme), u publikuan biseda komprometuese, ku dëgjohej lideri i PDSH-së duke i betuar besnikëri deri në vdekje shefit famëkeq të shërbimeve sekrete, Sasho Mijalkov.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2014 ishin kulmi i bashkëpunimit të Thaçit me pushtetin autoritar të VMRO-DPMNE-së dhe kandidatin presidencial Gjorge Ivanov. Vendimi i njëanshëm për të shkelur vullnetin e degës së Strugës lidhur me kandidatin për deputet ishte momenti që theu edhe durimin e bazës së partisë. Kjo ishte një ndër shtysat që nxitën lindjen e LR-PDSH-së, si një alternativë që do të ofronte shpresë për shqiptarët, mbështetur nga elita intelektuale dhe shumë të rinj.
Nën drejtimin e Ziadin Selës, subjekti i ri u pa fillimisht si një frymë ndryshe, një lider që u perceptua si i ndershëm, i përkushtuar dhe me guxim për të sfiduar status quo-në. Megjithatë, me kalimin e kohës, Sela filloi të shfaqë të njëjtat tipare të autoritarizmit dhe centralizimit të pushtetit që dikur i kishte kundërshtuar. Edhe pse Aleanca për Shqiptarët, në bashkëpunim me Alternativën, arriti të fitojë 12 deputetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, krahasuar me 15 deputetët e BDI-së, ajo nuk arriti të ruajë vrullin fillestar.
Vendimet autoritare të Selës për të imponuar kandidatë të papëlqyer në zgjedhjet lokale të vitit 2021, si rasti i Tetovës dhe Bogovinës, krijuan pakënaqësi të thellë te anëtarësia. Këto veprime kulmuan me vendimin e tij për të kandiduar për një mandat të tretë në krye të partisë, në kundërshtim me deklaratat e mëparshme për tërheqje dhe me frymën demokratike të partisë. Edhe pse rizgjedhja u realizua, ajo u shoqërua me kundërshtime të ashpra nga themelues të partisë, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij. Kjo ndodhi më në fund pas debaklit në zgjedhjet për Këshillin Komunal të Tetovës.
Ardhja e Arben Taravarit në krye të partisë u pa si një mundësi për ringritje, por ndryshimet statutore të ndërmarra nga Sela, për ta forcuar rolin e tij si kryetar i Kuvendit të partisë, post që nuk kishte më parë, e paralizuan funksionin e Taravarit. Obstruksionet sistematike që i bënë përkrahësit e Selës e shtynë Taravarin drejt bashkëpunimit me BDI-në, gjë që u pa si zhgënjim nga baza opozitare.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, pas presionit publik dhe me sugjerimin e kryeministrit Albin Kurti, Taravari zgjodhi të rreshtohet me opozitën shqiptare, pavarësisht ofertave të majme nga Ali Ahmeti. Ky pozicionim i dha opozitës shqiptare mbi 107 mijë vota të pastra dhe të mobilizuara. Në anën tjetër, Ziadin Sela, i rreshtuar krahë për krahë me partitë romë, turke e boshnjake, tentoi të shërbejë si gomë shpëtimi për Ali Ahmetin.
Pas zgjedhjeve, koalicioni “VLEN” dhe Taravari u bënë pjesë e qeverisë, por një sërë gabimesh strategjike, mungesë profesionalizmi dhe rrethim me figura jo kompetente, e dobësuan ndikimin dhe besueshmërinë e Taravarit. Jeta e brendshme politike në Aleancë u karakterizua nga përçarje, mungesë meritokracie dhe përpjekje për kapje të partisë. Në këtë klimë, Taravari vendosi të braktisë koalicionin “VLEN” dhe t’i bashkohet Ali Ahmetit, duke i dhënë goditjen finale një shprese të madhe opozitare.
Megjithatë, ashtu si në vitet e para të formimit, disa prej themeluesve dhe figurave të hershme të kësaj partie, të lënë pas dore e të përjashtuar nga qendrat e vendimmarrjes,vendosën sërish të dalin në mbrojtje të identitetit të Aleancës për Shqiptarët, duke kundërshtuar përpjekjet për ta kontrabanduar këtë subjekt nën ombrellën e BDI-së.
Historia e Aleancës për Shqiptarët është historia e një partie që nisi si shpresë për ndryshim, por që u shndërrua në shembull të shterjes së idealizmit përballë etjes për pushtet. Nëse kjo forcë politike do të arrijë të rigjejë veten dhe të rikthehet në binarët e demokracisë dhe përfaqësimit të vërtetë, kjo mbetet një sfidë që do të përcaktojë jo vetëm fatin e saj, por edhe të përfaqësimit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut./fol.mk