8 C
Tetovo
E hënë, 12 Maj, 2025
BallinaLajmeOpinioneAleanca që po shpërbëhet mes kujtimeve dhe gabimeve!

Aleanca që po shpërbëhet mes kujtimeve dhe gabimeve!

 

Nga: Latif Arifi
Në një kohë kur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë se kurrë nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm dhe vizionar, Aleanca për Shqiptarët ndodhet në pikën më të ulët të historisë së saj politike. Ajo që dikur lindi si një shpresë për ndryshim, sot po tretet mes përçarjes, mungesës së reflektimit dhe një gare për dominim personal mes dy figurave kryesore të saj, Ziadin Sela dhe Arben Taravari.

Vetëm pak ditë më parë, me ndjenjën e përgjegjësisë dhe bindjen se ende nuk është vonë për reflektim, u bë një thirrje për unitet. Thirrje që nuk kërkonte lavdi personale, por përgjegjësi kolektive për një shtëpi politike që po shembet. Për fat të keq, kjo thirrje ra në vesh të shurdhër. Në vend të dialogut, dy liderët e segmentuar të kësaj force preferuan të ndajnë fajet mes tyre dhe të shkojnë drejt një ndarje të pakthyeshme.

Ky nuk është një dështim individual, por një dramë kolektive për të gjithë ata që besuan në një Aleancë që premtoi të ishte ndryshe. E kujtojmë mirë se si kjo lëvizje u ngrit mbi rrënojat e zhgënjimit të krijuar nga PDSH-ja e vjetër dhe ofroi një alternativë të pastër, të frymëzuar nga energjia e të rinjve dhe idealistëve. Por ajo frymë u shua, ngadalë, mes klientelizmit, përjashtimit të kuadrove të ndershëm dhe abuzimit me rregullat themelore të funksionimit demokratik.

Një ndër kthesat më të rënda erdhi kur Sela, para se të largohej nga drejtimi formal i partisë, ndryshoi statutin në mënyrë të njëanshme, duke i siguruar vetes kompetenca të mbivendosura, përfshirë postin e ri si “kryetar Kuvendi” të partisë. Ky manovrim i kthyer në precedent minoi autoritetin e kryetarit të ri dhe e la partinë të paralizuar institucionalisht. Si rrjedhojë, Aleanca nisi të përdorej jo si një mjet përfaqësimi, por si një instrument për luftë brenda klanit.

Në këtë klimë, Arben Taravari u shfaq si një shpresë e re për rilindje, duke ndërmarrë një hap të guximshëm: distancimin nga BDI dhe afrimin me forcat opozitare përmes koalicionit VLEN. Ky hap gëzoi përkrahje të gjerë dhe u mbështet edhe nga figura të rëndësishme si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, edhe ky kapitull u zbeh shpejt për shkak të gabimeve të njëpasnjëshme që ngjanin shumë me ato të së kaluarës.
Vendimmarrja e pakoordinuar, përzgjedhja e figurave të padinjitetshme dhe rifillimi i komunikimeve të fshehta me BDI-në u përjetuan si tradhti ndaj parimeve të shpallura. Pas kësaj, pasoi largimi i Aleancës nga qeveria nga ana e Mickoskit dhe përjashtimi i saj nga blloku VLEN, një rrëshqitje që pasqyroi mungesën e thellë të vetëdijes për përgjegjësinë politike që mbart lidershipi.

Ajo që e rëndon më shumë këtë situatë nuk është vetëm ndarja, por mungesa e përpjekjes për bashkim dhe përmirësim. Si Sela, ashtu edhe Taravari, e trajtuan partinë si pronë personale, duke e shkëputur nga baza e saj dhe nga ideali për të cilin u ngrit. Sot, Aleanca për Shqiptarët nuk është më një platformë e bashkimit të energjive të reja, por një arenë për mbijetesë politike të disa individëve.

Por Aleanca nuk është e tyre. Ajo është dhe duhet të mbetet e atyre që e themeluan me idealizëm, që dhanë gjithçka për të ndërtuar një alternativë të ndershme dhe rezistente ndaj korrupsionit dhe autokracisë. Ndaj, përballë këtij degradimi, zëri i tyre nuk duhet të heshtë. Thirrjet për bashkim nuk janë bërë kot, por sepse kauza është më e madhe se çdo ego apo interes momental.

Ne që ende besojmë në frymën e parë të Aleancës, në vizionin e një force të pastër, pa kompromis me kapësit , nuk do të tërhiqemi. Rruga përpara është e vështirë, por e domosdoshme: ose ribashkim i sinqertë mbi vlera dhe rregulla të qarta, ose pranimi i fundin e një projekti që kishte potencialin për të bërë histori, ose…(vazhdon)

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments